Vasili: Drafti të votohet pa hezitim

Pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili tha për mediat se tashmë nuk ka asnjë arsye tjetër për të diskutuar, por reforma duhet votuar pa hezitim.

“Unë eci mbi besimin e plotë që një draft i cili ka respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare besoj që nuk ka më asnjë arsye tjetër për të diskutuar, por i vetmi qëndrim politik është votimi pa hezitim.”, deklaroi Vasili.

Prononcimi i plotë i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi

 Si i komentoni zhvillimet e sotme në Komisionin për Reformën në Drejtësi?

Mendoj që sot kemi pasur një ditë të rëndësishme të Komisionit për Reformën në Drejtësi, pasi patëm në tavolinë draftin tashmë të përpunuar dhe të ripunuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, draftit tashmë të Komisionit të Venecias dhe mendoj që ky është një moment shumë i rëndësishëm, moment zhvillimi. Pra, që i jep Reformës në Drejtësi një hapësirë të re, pasi kemi një draft që është hartuar nga profesionistë dhe institucione që përfaqësojnë BE-në dhe SHBA-të mbi themelin e punës shumë të madhe të Komisionit të Venecias e që tejkalon në mënyrë të qartë mosbesimin karakteristik që politika shqiptare ka ushqyer për vite me radhë.

Kemi një produkt tërësisht i paanshëm, por edhe profesionalisht shumë solid, dhe një produkt i cili hap rrugën përsa i takon ndryshimeve kushtetuese për të ecur sa më shpejt përpara. Sigurisht që miratimi në parim është një çështje që besoj se nuk ka nevojë të diskutohet më. Pra miratimi në parim i këtij drafti është i konfirmuar përsa i takon LSI-së dhe mendoj që kjo frymë, pra e të ecurit sa më shpejt me këtë reformë, është edhe fryma që duhet të na karakterizojë.

Është humbur shumë kohë, nuk mund të humbet kohë më tej, pasi dihet qartë që ky draft, kjo reformë është e lidhur dhe me fatin e integrimit evropian të Shqipërisë, që ka limite, ka afate kohe shumë të çmuara ashtu sikurse ambasadorja Vlahutin pati mirësinë t’i sqarojë komisionit. Në këtë mënyrë nuk na pret gjë tjetër që të hënën, besoj pa asnjë hezitim të gjithë duhet të miratojmë në parim këtë draft për të ecur pastaj me shpejtësi në shqyrtimin e tij nen për nen dhe për të fituar gjithë këtë kohë të humbur edhe me debate ndonjëherë edhe shterpë…

Nga drafti dhe nga gjithë zhvillimet që pati sot në Komisionin e Posaçëm parlamentar a mendoni se do të miratohet brenda qershorit. Janë integruar të gjitha shqetësimet e të gjitha palëve?

Unë eci mbi besimin e plotë që një draft i cili ka respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare, është parë gjerësisht, është komentuar gjerësisht nga Komisioni i Venecias dhe me besimin reciprok të të gjitha forcave politike. Është marrë në shqyrtim dhe është pasuruar me eksperiencën e EURALIUS-it dhe OPDAT-it besoj që nuk ka më asnjë arsye tjetër për të diskutuar, por në këtë moment që ndodhet Reforma në Drejtësi, i vetmi qëndrim politik është votimi pa hezitim.

A duhet dhe a do të mbajt përgjegjësi z. Vasili vetë Komisioni i Posaçëm për dështimin edhe pse të gjithë e urojnë që të mos ndodh diçka e tillë?

Nuk do të dështojë as reforma në drejtësi, as komisioni. Ne të hënën pa asnjë diskutim do ta votojmë në parim dhe do të ecim përpara për të pasur reformën e miratuar brenda këtij sesioni dhe objektivi besoj në rast se përgjegjshmëria politike do të bëjë të sajën, do të jetë që të surprizojmë pozitivisht opinionin publik shqiptar, që ta votojmë edhe më shpejt nga sa mendohet.

SHKARKO APP