Vasili: Drejtësia në kaos, e kapur dhe zhgënjyese. Duhet zgjidhje dhe jo propagandë

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, duke iu referuar deklaratave të kryetarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe atij të Prokurorisë, si dhe një analize të “Zërit të Amerikës”, deklaron se drejtësia shqiptare është në kaos, e kapur dhe zhgënjyese.

Përmes rrjeteve sociale, Vasili thekson se tashmë duhen zgjidhje dhe jo më arnime antikushtetuese, që vijnë nga qeveria dhe që zhbëjnë totalisht reformën në drejtësi.

“Drejtësia në kaos, e kapur dhe zhgënjyese, duhet zgjidhje dhe jo propagandë!

Në të gjitha nivelet e drejtësisë sundon kaosi, ç’organizimi, inefiçienca e demoralizimi.

Kjo situatë ka cenuar në themel rolin fondamental të drejtësisë në sigurinë publike dhe atë individuale.

Pandëshkueshmëria e qeverisë dhe e krimit të lidhur me të mbretëron falë kësaj drejtësie të tronditur në themel.

Mosbesimi i opinionit publik është në nivele kritike.

Asnjë gjykatë e çdo niveli nuk është e plotësuar dhe me mungesa kritike.

Problemet që rëndohen janë të qarta dhe pranohen nga vetë drejtuesit e institucioneve.

Në total, nëpër gjykata janë dhjetëra mijëra çështje, që janë në mëshirë të fatit dhe të pamundësisë për t’u trajtuar, si dhe rrezikut të cilësisë së dobët të drejtësisë.

Duhen zgjidhje dhe jo më arnime antikushtetuese, që vijnë nga qeveria dhe që zhbëjnë totalisht reformën në drejtësi.

Arnat po e kthejnë reformën në një rreckë, ku s’gjendet më gjëkundi Reforma e miratuar ne 21-22 korrik të 2016-s, me 140 vota dhe me mbështetjen e Komisionit të Venecias.

Boll më me propagandë.

Duhen zgjidhje të vërteta për një drejtësi të vërtetë”, thekson nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

SHKARKO APP