Vasili i përgjigjet Ramës: Operacioni i OFL, alibi për bashkëpunimin e Rilindjes me krimin
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili i përgjigjet kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të tij në Kuvend se nuk ka pasur deri vitin e kaluar se ku t’i dërgonte ligji special dosjet e personave të dënuar për pasuritë e tyre.
Vasili thotë se deklarata e sotme e kryeministrit Rama ishte për të mashtruar “publikisht dhe në mënyrën më të rëndë shqiptarët lidhur me paketën “KÇK” dhe lidhur me veprimet që i kishin lidhur gjoja duart atij për të vepruar kundra krimit e për të bërë detyrën e tij”.
“Edi Rama gjithashtu u ankua se nuk kishte se kujt t’ia çonte dosjet e krimit dhe të korrupsionit. Të nderuar qytetarë, ky mashtrim i pacipë që bëhet publikisht ka vetëm 2 qëllime. Qëllimi i parë është për të krijuar një alibi, pra për të krijuar një alibi bashkëpunimit kriminale të qeverisë me krimin dhe për t’i dhënë gjithashtu një alibi dhe legalizim kriminelëve tashmë klientë të qeverisë në të gjithë veprimtarinë e saj politike, elektorale dhe ekonomike”, tha Vasili.
REAGIMI I PLOTE
Të nderuar qytetarë, ju mbani mend shumë mirë sesi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vetë, ky mashtrues zgjodhi duke thyer Kushtetutën, duke dhunuar Kushtetutën Arta Markun me 69 vota në mes të flakës dhe të mjegullës në Parlament? Të opozitës, e cila protestonte rreptë, pikërisht që të mos shkelej Kushtetuta sepse kjo do të krijonte vetëm komoditet pafund dhe fushë të hapur krimit për të mos u sulmuar.
Ju dini që ne kemi goditur ashpër zgjedhjen e Donika Prelës në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që ishte një adresë ku mund të çoheshin dosjet e krimit.
Pra duhet ta dini më së miri që ka pasur adresa se ku mund të shkonin dosjet e krimit, ku ka qenë edhe Prokuroria e Përgjithshme e përfaqësuar nga Arta Marku, e përzgjedhura e qeverisë dhe Donika Prela gjithashtu, Kryeprokurore e Krimeve të Rënda. Gjithë shqiptarët sot pyesin këtë mashtrues që është në krye të qeverisë, po me çunat e Shijakut kush bashkëpunoi dhe u bë njësh për të vjedhur votat? Ashtu sikurse dosja 339 dhe përgjimet e Prokurorisë të nxjerra sheshit? Po me çunat problematik në Dibër, kush bashkëpunoi për të grabitur votat e pushtetit dhe për ti shpërblyer ata që merrnin rreth e përqark me poste ministrore, drejtoria dhe gjithfarësh? Po kush i rrëmbeu me dhjetëra tendera, duke filluar nga Durrësi si një simbol i famshëm i rrëmbimit të krimit dhe i ndarjes së tenderave pafund, e miliona e miliarda të tjera nga kriminelët, dhënë dhuratë për shërbimet e tyre? A i bëri qeveria?
Të nderuar qytetarë,
Reforma në Drejtësi për të cilën u votua dhe u investua një Parlament i tërë me 140 deputetë, kishte vetëm një qëllim, krijimin e institucioneve të pavarura të cilat nuk kishin asnjë punë me qeverinë prandaj dhe zgjidheshin me një mekanizëm tërësisht të pavarur.
Por ishin institucione që i bënin skanerin qeverisë, në radhë të parë dhe mbi të gjitha SPAK, Prokuroria Speciale. Ndërkohë çfarë bën Kryeministri mashtrues, ky që flet sot për KÇK, ky sot rrëmben Reformën në Drejtësi, e shqyen e bën copa-copa dhe SPAK-un që duhet të hetojë kryeministrin, ministra me radhë, që nga ministri i Brendshëm që publikisht merret vesh se çfarë ka bërë për të helmuar shqiptarët që protestojnë kundër tij, SPAK-un e merr dhe e fut në sqetullën e tij. Ku përfundoi Reforma në Drejtësi me institucione të pavarura siç ishte SPAK-u dhe BKH që pritet të ndërtohet. Ju e dini shumë mirë që ligji për SPAK-un u votua nga të gjitha aktorët politik edhe nga partia Demokratike, e cila në atë kohë refuzoi të votonte në atë kohë 6 ligjet e paketës për Reformën, pra kishte një mirëkuptim të plotë politik që të ngrihej një instrument mbi politikën, jashtë politikës që të luftonte krimin.
Çfarë bëri mashtruesi Edi Rama? Sot po përpiqet ti ligjërojë dhe ti mbush mendjen shqiptarëve që ky SPAK-u nën sqetullën e qeverisë mund të luftoj krimin e po vetë qeverisë. SPAK-u nën urdhërat e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, që është asgjë më shumë se zgjatimi, apendixi i Edi Ramës.
Këto mashtrime të trasha që i japin kohë krimit, të cilët i dhanë frymëmarrje për 6 vite e gjysëm krimit, megjithëse kryeministri do të precizojë se është 6 vite e gjysëm në pushtet, 6 vite gjysëm i dha frymëmarrje pafund krimit dhe ky krim nuk u ndëshkua, drejtësia e re që do lindte me Arta Markun dhe të tjerë e bëri krimin dhe kriminalizmit të ngjitej në nivelet më të larta edhe jashtë Shqipërisë, deri në Amerikë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe deri në Europë.
I pa luftuar krimi dhe korrupsioni nga po të zgjedhurit e Edi Ramës, të preferuarit e Edi Ramës, servilët e Edi Ramës, lakejtë e Edi Ramës atje në krye të Prokurorisë e bënë Shqipërinë që të jetë sot një nga 3 vendet më të korruptuara të globit. Ka vetëm një KÇK në Shqipëri, ai është vetëm Edi Rama, ka vetëm një KÇK që SPAK-u duhet të luftojë dhe të hetojë dhe të nxjerrë para drejtësisë, ky është Edi Rama, ka dhe një mashtrues të pa lodhur, i cili ofendon dhe poshtëron popullin e tij duke e quajtur një popull të pa zgjuar, të pavëmendshëm, të pamend, duke i shitur mashtrime të tilla kaq të neveritshme ku çdo shqiptar do të pyeste dhe do të vazhdojë të pyesë.
Çfarë bënë në 2 vite e gjysëm me Arta Markun dhe Donika Prelën, përse e bëmë Reformën në Drejtësi është pyetja tjetër. A kemi drejtësi të pavarur apo kemi drejtësinë e Kryeministrit, kemi drejtësinë e pluralizmit shqiptar apo kemi drejtësinë e Koçi Xoxës të partisë së punës, që rrëmbente njerëzit, u rrëmbente pronat dhe i hidhte nëpër hendeqe.
Dita e mashtrimit ka marrë fund, të gjithë shqiptarët i njohin të vërtetat, të gjithë shqiptarët e dinë që i vetmi njeri i interesuar për ti dhënë alibi bashkëpunimit të tij me krimin dhe për tu dhënë paqe, qetësi dhe legalizim kriminelëve është vetëm Edi Rama frekuentuesi i tyre, përdoruesi i tyre dhe benefiçari kryesor i tyre për të vazhduar dhe për të qëndruar qoftë edhe një ditë të vetme më tej në pushtet. Asnjë nuk do të pajtohet me këtë mashtrim të madh publik, do ta denoncojmë pa fund këtë mashtrim publik dhe nuk ka asnjë shqiptar, as edhe një të vetëm që të pranojë të poshtërohet dhe ofendohet me mashtrime të tilla sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndërkohë që krimi gëlojë falë vetëm përkrahjes dhe mbështetjes, e përdorimit që i bëri Edi Rama në Shqipëri.