Vasili shigjeton Edi Ramën: Qeleshet rrinë më mirë në kokën e shqiptarëve !
Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili ka komentuar zhvillimin e “Koncertit të Vjenës” në Tiranë. I pyetur nga mediat lidhur me këtë event, Petrit Vasili theksoi se ky koncert ishte një organizim tepër festiv dhe të tilla evenimente duhet të zhvillohen më shpesh në Tiranë.
Lidhur me këtë Vasili theksoi se një eveniment të tillë mund ta bëjë edhe orkestra e Radio Televizionit Publik Shqiptar duke shtuar se formacion muzikor i RTSH-së është mëse dinjitoz.
“Koncerti i Vjenës duhet të flasë shqip. Orkestra e Radiotelevizionit Publik Shqiptar mund ta zhvillojë këtë eveniment, pasi është një formacion dinjitoz. ‘Danubin blu’ shqiptarët e kanë dëgjuar falë kësaj orkestre. Shkëlzen Doli dhe orkestra e RTSH-së mund ta sjellin Vjenën në Tiranë. Qeleshet rrinë më mirë në kokën e shqiptarëve si edhe shqiptarët e pinë më mirë rakinë me fund”, – tha z. Vasili duke mos përmbajtur ironinë ndaj Kryeministri Rama për zhurmën e cila u bë sikur Vjena po zbarkonte në Tiranë.
Me reagimin e sotëm ndaj koncertit të organizuar në Pallatin e Kongreseve, për të cilin janë shpenzuar qindra milionë lekë, LSI duket se ka nisur një sulm frontal ndaj qeverisë në të cilën bën pjesë. Kryeministri Rama e ka ftuar disa herë partnerin në qeveri që të shprehet për koalicionin e vitit 2017, por LSI e ka shtyrë vendimmarrjen e saj.
Duket mot i akullt mes PS e LSI këto ditë të fillimvitit.