Vasili: Nëse do të kishim testime masive, shifrat do të ishin ndryshe. Duhet shqyrtuar situata
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një lidhje me Skype në “News 24” deklaroi se testet masive janë të domosdoshme për të bërë një analizë të situatës dhe evidentuar më shumë problematikën.
“Duhen ndjekur gjurmët e koronavirusit. Publikisht kam thënë se duhet të japim kontribute, të gjithë të bashkuar. Propozimet e mia kanë qenë kurdoherë publike. Gjurmët masive do të mbante në kontroll pandeminë.
Kjo situatë mund të rrisë sëmundjet kronike. Sistemi do përballet me flukse të mëdha të sëmundjeve kronike. Një testim më shumë është një evidencë më shumë. Duhet të pyesim veten: Ku po shkojmë?”, tha Vasili.
Ai shtoi se nëse do kishte teste masive, numrat e të infektuarve do ishin ndryshe e kjo do të bënte që edhe evidenca të jetë më e qartë.
“Testimet duhet ti dedikohen evolucionit natyror të koronavirusit. Nëse do kishim teste masive, shifrat do ishin ndryshe. Masat kanë krijuar paqartësi. Kanë ndryshuar mbi 15 herë dhe kanë krijuar vërtetë paqartësi e kaos”, u shpreh Vasili.