Vasili: Një mjekësi me telefon, mjekësi e vdekur! Mjeku i familjes duhet të ishte vija e parë e zjarrit me Covid
Kryeministri Rama është mbrojtur në vijimësi nga opozita për numrin e ulët të testimeve për Covid-19 me argumentin se kjo është një vendimmarrje e Komitetit të grupit të ekspertëve
Por nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, ngre pyetjen se “cila është përbërja e grupit të ekspertëve dhe kush e drejton?”
Në një intervistë për Ora News, Vasili në cilësinë edhe të ish-ministrit të Shëndetësisë thotë se nxjerrja jashtë loje e mjekut të familjes për përballimin e kësaj pandemie ka qenë gabimi më i rëndë që shëndetësia shqiptare ka bërë.
Vasili: Çështja e mjekut të familjes ka qenë gabimi më i rëndë strategjik që shëndetësia shqiptare ka bërë. Ka mister kush e mori këtë vendim, një përgjigje e kam që këtë vendim e ka marrë kryeministri me ministrin e Shëndetësisë, se vetëm këta njerëz mund të marrin vendime të tilla. Mjeku i familjes duhet të ishte që në momentin e parë kur beteja me pandeminë filloi. Vija e parë e zjarrit është mjeku i familjes, kujdesi shëndetësor parësor. Spitali Infektiv në Tiranë është njësi klinike e kujdesit shëndetësor terciar apo tretësor, e specializuar. Vija e frontit nuk vendoset në Spitalin Infektiv, është vendosja më e gabuar e vijës së frontit. Mijëra mjekë të familjes janë filtra profesionalë të kualifikuar për raste të dyshuara me pandemi.
Kanalizimi te 127 i të gjithë fluksit të urgjencave për Vasilin është e gabuar.
Vasili: A mundet që një njeri i thjeshtë që përmes komunikimit në telefon të zgjidhë problemet dhe të ndajë mundësitë e infektimit me koronavirus apo jo? Kjo nuk ndodh në një ditë të zakonshme. Është e qëllimshme për të fshehur të vërtetën pasi mjekët e familjes do të raportonin cila ishte gjendja e pandemisë.
Mjek në profesion, Vasili këtë strategji nuk e sheh si shkak të paaftësisë por të qëllimshme për të monopolizuar të vërtetën e pandemisë.
Vasili: Vërejmë që ka një fluktuacion të shifrave, kemi ditë me 6, kemi ditë me 17, kemi ditë me 9, kemi ditë me 18, kemi ditë me 11, kemi ditë me 29. Çfarë mundësie teorike ka për të lexuar tendencën e epidemisë, shifrat janë kontradiktore. Vizita mjekësore u zëvendësua me telefon. Nuk bëhet mjekësia me telefon miq, nuk ka për tu bërë kurrë. Një mjekësi me telefon është një mjekësi që ka vdekur, një mjekësi që do të prodhojë komplikacione të rënda që mund ti vuajnë gjatë kohës së pandemisë dhe më tutje.
Që prej fillimit të pandemisë dhe deri më sot qeveria ka nxjerrë 22 akte normative si përgjigje për të shmangur përhapjen e koronavirusit.
Për Vasilin ato janë në shkelje të hapur me ligjin dhe kjo mund ti kushtojë financave të shtetit nëse personat e prekur shfrytëzojnë të drejtën për të ndjekur ligjërisht çështjen.
Vasili: Është një risk i paevitueshëm. Të gjitha aktet normative të dala në këtë kohë, sepse çdo veprim, çdo akt normativ që ka dalë, çdo urdhër i Ministrit të Shëndetësisë se ai është përdorur në këto kohë nga kryeministri, ka pasur një fuqi që i është nënshtruar i gjithë territori. Ju nuk keni dalë nga shtëpia me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, kolegët tuaj nuk kanë ardhur në punë me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë. Që nga data 8 mars kanë dalë 22 të tilla. Kushtetuta flet qartë, çdo akt i tillë nga Ministri apo kushdoqoftë, merr fuqi juridike pasi ka dalë në Fletoren Zyrtare. Në Fletoren Zyrtare të gjitha këto akte janë publikuar një muaj e ca më vonë, para dy ditësh me 10 prill. Si të tilla kanë qenë akte pa fuqi juridike. Kushdo i penalizuar nga këto akte a ka të drejtë të ankohet? Sigurisht që ka. Do të hidhnit në gjyq qeverinë dhe do kërkonit dëmshpërblim në rast se kjo e drejtë përdoret.