Vasili: PD t’i përdorë politikisht mandatet e deputetëve

Ndërsa komentoi bojkotin disamujor të opozitës, ndërkohë që mandatet e deputetëve të saj rrezikojnë të digjen për shkak të mungesës për gjashtë muaj rresht në parlament, Vasili tha se mandatet e deputetëve janë produkt i vullnetit të popullit dhe jo pronë e opozitës apo pozitës.

“Mandatet nuk janë pronë e opozitës dhe as e mazhorancës, ato janë thjesht produkt i vullnetit të popullit. Ndaj besoj se opozita ka detyrën dhe do t’i përdorë mandatet e saj politikisht, pasi nuk është pronare e tyre. Nëse opozita mendon se ka 50 e ca mandate të cilat janë pronë e saj, atëherë e ka zhgënjyer besimin e zgjedhësve, sepse ata i kanë besuar”, u shpreh Vasili.

I pyetur se kur pritet të nisë nga puna komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, Vasili tha se puna e tij do të fillojë me nisjen e sesionit të ardhshëm parlamentar në janar, ndera u shpreh se mirepresin ardhjen e opozites.

“Ne kemi dëgjuar predispozicionin e saj për të kontribuar për këtë reformë dhe nuk besojmë se opozita nuk do të vijë. Ajo nuk mund t’i shmanget kontributeve që duhet të japë për një reformë madhore, siç është reforma në drejtësi. Kështu që në mënyrë normale jemi në kohën, ku jo thjesht e presim opozitën, por dhe në kohën qe ka ne dispozicion për të propozuar emrat dhe për të qenë pjesë aktive e këtij komisioni”, tha kreu i grupit te LSI-se.

I pyetur për nismën ligjore të maxhorancës për ndryshimin e ligjit “Për Gjykatën e Lartë”, Vasili u shpreh se ajo është vetëm një qasje për t’iu dhënë zgjidhje disa problemeve të cilat janë akute dhe që synojnë vënien në efiçencë të plotë të Gjykatës së Lartë.

“Ju e dini që Gjykata e Lartë ka një problem serioz në funksionimin e saj, pasi anëtarëve u ka mbaruar mandati. Pra, është një trupë gjyqësore e paplotë dhe sigurisht këto ndryshime shërbejnë për vënien në lëvizje të ketij institucioni dhe nuk cënojnë as thelbin e reformës dhe as atë paketë të cilën reforma do ta formësojë pas një kohe të caktuar”, u shpreh kreu i grupit të LSI-së. 

SHKARKO APP