LSI, Vasili: Rama pastron para, dilni në protesta
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp tha se në vend po bëhet një pastrim i madh parash. Këto akuza ai i lidhi me emrin e të parit të qeverisë Edi Rama.
”Në Shqipëri po bëhet një pastrim i madh parash. Pastrimi i parave është peng në duart e një njeriu, kryeministrit të Shqiqërisë. Nëpërmjet këtyre operacioneve ai bëhet miliarder por qytetarët dhe bizneset e ndershme rrënohen e mjerohen. Shqipëria është në një moment ulëritës. Kjo vërtetohet edhe nga raportet e policisë gjermane, raporteve europiane e ato të DASH”,-tha Vasili.
Ndaj ai ftoi të gjithë shqiptarët t’i bashkohen protestës opozitare më 16 shkurt. ”Le të dalim të gjithë bashkë në protestë dhe të mbrojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Çdo shqiptar që mbyll sytë po gatuan një të ardhme të zezë”,-tha ai.