Vasili: Shëndeti i shqiptarëve, një shesh ku qeveria gatuan përsheshin. Kolapsi i sistemit po përvijohet qartë

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili akuzon qeverinë ”Rama 2”, ku thotë se masat e marra për pandeminë e Covid-19 nuk kanë dhënë rezultate. Për më tepër, Vasili nënvizon përmes një postimi në facebook, se është pa drejtim e gjithë shëndetësia në të gjithë sektorët. Për më tepër, Vasili thekson se shëndeti i shqiptarëve është praktikisht në mes të furtunës, në det të hapur pa busull dhe pa timon. ”Së pari në kontrollin e sëmundjeve kronike, që janë shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë si dhe së dyti në ndjekjen e vdekshmërisë foshnjore dhe amtare. Improvizime politike, propagandistike pa asnjë bazë shkencore, këto janë të gjithë veprimet e ndërmarra për pandeminë të cilat kanë rënduar në mënyrë kritike situatën, duke sjellë për pasojë një kolaps të paevitueshëm të sistemit shendetësor”, shkruan Vasili në facebook.

Postimi i plotë

Shëndeti i shqiptarëve, shesh ku gatuan përsheshin paaftësia dhe ligësia e qeverisë! Pandemia e Covid-19 po shënon ditë gjithnjë e më kritike dhe me shifra të infektimit, dhe humbjes së jetës që njohin vetëm rritje.
Një situatë e tillë rëndohet e thellohet gjithnjë e më shumë nga paaftësia e drejtimit, propaganda dhe kapja ekstreme e qeverisjes.

Asnjë masë e ndërmarrë nga qeveria nuk ka dhënë asnjë rezultat dhe nuk ka ndikuar në asnjë nga treguesit e pandemisë. Rritja me dhjetëra herë e rasteve të infektuar me Covid-19, është fakt si dhe rritja e vdekjeve po ashtu. Edhe mbyllja e tre muajve të parë mars-maj, duke mos bërë testime shërbeu vetëm për të fshehur të vërtetën dhe për justifikuar financimin qesharak për Pandeminë, sepse duhej të vazhdonte financimi i koncesioneve dhe inceneratorëve.

Kjo mbyllje mars-maj pa testime krijoi mundësinë e përhapjes së heshtur të Pandemisë dhe rendimit ekstrem që po përjetojmë. Ezaurimi aktual i kapaciteteve të spitaleve pa ditur se ku shkohet po ndodh përpara syve të të gjithëve dhe kolapsi i sistemit po përvijohet qartë.

Është pa drejtim e gjithë shëndetësia në të gjithë sektorët e tjerë, së pari në kontrollin e sëmundjeve kronike, që janë shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë si dhe së dyti në ndjekjen e vdekshmërisë foshnjore dhe amtare. Improvizime politike, propagandistike pa asnjë bazë shkencore, këto janë të gjithë veprimet e ndërmarra për pandeminë të cilat kanë rënduar në mënyrë kritike situatën, duke sjellë për pasojë një kolaps të paevitueshëm të sistemit shendetësor

Kësaj analize bazuar mbi fakte dhe evidencë, qeveria nuk mund ti shmanget dot dhe përgjigjet propagandistike vetëm sa rëndojnë krimin shtetëror në menaxhimin e pandemisë. Kryeministri dhe lloj-lloj sharlatanësh qeveritarë, llomotitin për pandeminë duke përcjellë mesazhe njëri më i gabuar se tjetri, duke shtuar e shumëfishuar kaosin dhe konfuzionin dhe ky është një faj i rendi i shtuar për seicilin prej tyre. Shëndeti i shqiptarëve është shndërruar në një shesh ku gatuan përsheshin e saj, paaftësia dhe ligësia e qeverisë. Shëndeti i shqiptarëve është praktikisht në mes të furtunës, në det të hapur pa busull dhe pa timon.

SHKARKO APP