Vasili: Testimi i popullsisë në tërësi, e vetmja mundësi që mund të na japë pamje të situatës

Ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka denoncuar fshehjen e rasteve të para me Covid-19 në vendin tonë.

Ai thotë se kurbën e raportimeve Ministria e Shëndetësisë e nis nga 28 shkurti, edhe pse zyrtarisht rasti zero është deklaruar me 8 mars.

“Në paraqitjen e djeshme Ministria e Shëndetësisë e fillon kurbën e raportimeve nga 28 shkurti. E kam bërë publike. Si mundet që të dhënat të fillojnë nga 28 shkurti? A ka qenë 8 marsi sipas qeverisë dita e parë e rastit zero? Çdo të thotë që paskemi pasur raste që me 28 shkurt? Kush e mori përgjegjësinë të mos merrte asnjë masë, të mos mbyllte Shqipërinë ndërkohë që pretendohet se masat janë marrë në kohë. Kush i fshehu këto raste dhe për çfarë arsye?”, shprehet Vasili.

E ndërsa të hënën do të nisë testimi serologjik për mjekët dhe personat e prekur nga Covid 19 që janë të shtruar në spital, Vasili për Ora News thotë me rëndësi është testimi në masë i popullatës me tampone.

“Para testeve serologjike duhet të qëndrojmë te testimi i popullësisë në terësi, e vetmja mundësi që mund të na japë pamje të situatës, na ndihmon të përcaktojmë çfarë masash që duhen marrë dhe të mos marrë masa të çmendura që ndryshojnë nga sot në nesër dhe për të shmangur jo vetëm panikun dhe stresin e tmerrshëm por edhe për të evituar rrënimin e ekonomisë që vjen si pasojë e kufizimeve të paargumentuara dhe pa të dhëna të besueshme.

Testimi i gjerë në popullësi është një strategji madhore. Ku ka dyshime të arsyeshme testimet mund të përsëriten. Sipas arsyetimit të çmendur të qeverisë duhet të bënim zero testime. A ka një kurbë Shqipëria? Të gjithë e dimë se çfarë do të thotë një kurbë dhe çfarë thotë një rrëmujë”, deklaroi Petrit Vasili.

SHKARKO APP