Veliaj: 100 vjetori si kryeqytet, Tirana me buxhetin më të madh në histori
100 vjetori i shpalljes Kryeqytet e gjen Tiranën me buxhetin më të madh në historinë e saj. Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton sot buxhetin e vitit 2020, i cili vjen me një rritje prej 11% krahasuar me buxhetin e vitit 2019, ndërsa parashikon jo vetëm rritje të investimeve publike, por edhe detyrimet që lindin për rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij para Këshillit Bashkiak, duke iu referuar pikërisht buxhetit të vitit 2020, tha se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër.
“Jam i bindur se 2020-ta do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për qytetin tonë. Jemi mbledhur këtu sot, që të marrim disa vendime të rëndësishme së bashku. Na presin shumë punë të mira, që duan shumë energji, vullnet e këmbëngulje për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës. Sot miratojmë buxhetin më të madh në 100 vjet të Bashkisë së Tiranës dhe Buxhetin e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet. Është një vit jubile për të cilin jemi duke u përgatitur me shumë aktivitete e ngjarje kulturore, për të lënë realisht shenjë në 100 vjetorin e qytetit tonë. Lajmi i mirë për të gjithë qytetarët është se edhe buxheti i vitit 2020 është sërish buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës, i rritur me 11% në krahasim me vitin e kaluar, duke sjellë kështu më shumë investime për ata që kanë vendosur ta quajnë tiranën shtëopinë e tyre të madhe. Fakti që ky është viti i pestë rresht që vijmë përpara Këshillit me një buxhet me rritje, besoj se na jep të gjithëve të drejtën të ndihemi krenarë për punën që kemi bërë, por, ç’është akoma më e rëndësishme, na jep arsye të ndihemi optimistë se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit tonë për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër. Ky është padyshim kurorëzimi më i bukur që mund t’i bëhej një viti shumë të mirë për qytetin dhe një fillim i mbarë i mandatit të dytë”.