Veliaj, apel biznesit fason: Aplikoni për të përfituar nga Fondi i Nxitjes së Punësimit

Gjatë vizitës së tij në një biznes fason në Tiranë, duke shpjeguar se si caktohet ky fond për industrinë tekstile, Veliaj tha se për vitin tjetër qeveria ka krijuar një fond prej 4.5 milion dollarë për Fondin e Nxitjes së Punësimit, nga të cilat 2.5 milion vetëm për sektorin fason.

“Mënyra se si llogaritet Fondi i Nxitjes së Punësimit varet nga përqindja e tatimit të fitimit që ka deklaruar sektori tekstil. Të gjitha paratë që vijnë nga shtesa 5% e tatim fitimit të industrisë fasone, do t’ia kthejmë po këtij sektori nëpërmjet fondit të punësimit”, tha Veliaj.

Në vijim ai nuk përjashtoi mundësinë që fondi për nxitjen e punësimit për biznesin fason mund të rritet.

“Ndaj inkurajimi për këtë industri është që, duke filluar nga janari 2015, të aplikojnë sipas një sistemi pikësh transparent, i cili shpërblen të gjitha kompanitë që punësojnë sa më shumë njerëz, sidomos nga zonat rurale.

Ndaj, apeli im për të gjitha kompanitë është që të aplikojnë në afat dhe të shfrytëzojnë kohën për të pasur sa më shumë hapësira nga fondi i nxitjes së punësimit”, u shpreh ministri i Mirëqënies Sociale.

Ai shtoi se nëse fondi i derdhur si tatim fitimi nga fasonët do të rritet deri në fund të vitit, edhe fondi i punësimit për fasonët po ashtu do të rritet.

Ministri Veliaj nënvizoi se shumë shpejt, në bashkëpunim me Italinë, do të hapet edhe një shkollë e re profesionale për modë, dizajn dhe logjistikë, në mënyrë që industria e veshjeve të mos mbulojë vetëm një proces të punës, por edhe elementët e tjerë si dizajni.

“E vetmja mënyrë që ne t’i mbajmë këto vende pune është duke shtuar edhe proceset e tjera të punës. Shkolla profesionale e modës dhe dizajnit do ta mundësojnë këtë”, u shpreh Veliaj. 

SHKARKO APP