Veliaj: Bekim të drejtoj sërish PS e Tiranës, ndryshimi që kemi sjellë në çdo lagje është i prekshëm

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e quan privilegj drejtimin e Partisë Socialiste të Tiranës, detyrë e cila iu ngarkua në mbledhjen e fundit të Kryesisë. Nga Njësia 1, ku u ndal për të dëgjuar platformat e kandidatëve për kryetar të PS në këtë njësi, ai tha se duhet punuar për të ruajtur besimin e qytetarëve. Për këtë kërkoi bashkëpunim nga anëtarësia, për të çuar procesin e përzgjedhjes së kryetarëve, por edhe në betejën e ardhshme zgjedhore.

“Për mua është bekim dhe privilegj i jashtëzakonshëm që të vazhdoj të drejtoj Partinë Socialiste në Tiranë, por si i thonë asaj fjalës së urtë shqiptare: “Trimi i mirë, me shokë shumë”. Mua më duhen sot shokët dhe shoqet në çdo njësi, që të rrëmojmë të gjithë bashkë, si një varkë. Na duhet edhe një kapiten për çdo varkë, që na tregon se nga do rremojmë, që na jep kurajë për t’i dhënë me më shumë energji e më shumë fuqi rremave për të ecur përpara. Çfarë fati për ne që kemi këtë shumicë dhe jemi bekuar nga populli ynë, që na japin besimin e plotë të ecim përpara”, tha Veliaj.

Duke folur si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Veliaj nënvizoi se falë punëve të bëra në kryeqytet, angazhimi bëhet edhe më i lehtë, pasi investimet janë të prekshme për qytetarët.

“Kur kujtoj takimin e parë që kemi mbajtur këtu, kur sapo kishim rikonstruktuar shkollën “1 Maji”, lagjet ‘Ali Demi’ dhe ‘Ali Shefqeti’ nuk kishin rrugë, as trotuare, kurse sot ndryshimi është si dita me natën. Ndaj them se ne duhet të matemi me stekën tonë. Steka jonë është si do mundemi të bëjmë për lagje të tjera atë punë që kemi bërë te “Dhimitër Kamarda”, si të shkojmë në nivel më kapilar, për të sjellë të njëjtën cilësi si këtu, ku është kryqëzimi kryesor me unazën dhe Ali Demin, ashtu edhe në periferinë më të largët. Detyra jonë është që, siç bëmë me “1 Majin” dhe “Ali Demin”, të bëjmë edhe shkollat e tjera në Tiranë. Siç bëmë rrugën “Ali Demi” dhe “Ali Shefqeti”, të bëjmë edhe rrugët e tjera”. Në Njësinë 1, për kryetar të Partisë Socialiste kandidojnë Renaldo Suli dhe Anisa Ruseti.

SHKARKO APP