Veliaj bën bashkë komunitetet e besimit ortodoks dhe katolikë: Koha të mos e shohim njëri-tjetrin si kundërshtarë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shtroi mbrëmë një darkë për komunitetet e besimit katolik, orthodhoksë dhe protestantë me rastin e festës së Krishtlindjes. Në fjalën e mirëpritjes, kryebashkiaku tha se viti që po lëmë pas ishte i jashtëzakonshëm për Tiranën.
“Ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për Tiranën, për mënyrën sesi komunikojmë me njëri-tjetrin, ndaj më vjen mirë që i kemi kushtuar hapësirë dhe vëmendje secilit prej besimeve. Një shtëpi e madhe ka vend për të gjithë; siç kemi pasur një traditë me vëllezërit dhe motrat tona myslimane për të festuar Bajramin, e kam gjykuar të nevojshme që, edhe për besimtarët e krishterë të kemi një ditë të dedikuar nga Bashkia, për t’i thënë secilit prej jush se sa e vlerësojmë punën tuaj, shërbesën tuaj, misionin tuaj në qytetin tonë,” u shpreh Veliaj.
Veliaj bëri edhe një thirrje për t’i dhënë fund “armëve”, siç i quajti ai akuzat dhe sulmet politike, dhe të jemi më solidarë ndaj njeri-tjetrit, qoftë edhe në kampet kundërshtare.
“Ftesa e përbashkët në këtë ditë, është: A kemi nevojë ne si komb për një paqe të madhe? Për një armëpushim të madh? Të ulim armët, të cilat jo gjithmonë janë armë fizike. Armë është edhe gjuha jonë. Armë janë mendjet tona, kur i përdorim kundër njeri-tjetrit, për të penguar njëri-tjetrin dhe për të mos e trajtuar njëri-tjetrin si të denjë dhe të barabartë, por si një kundërshtar që duhet mundur. Ndaj, edhe shpresoj dhe lutja ime për qytetin tonë, për kombin tonë, për shoqërinë tonë, është që vërtetë pse mos ta kemi çdo ditë Krishtlindje dhe të jetojmë çdo ditë si një armëpushim të madh mes vedi. Vetëm pastaj mund të predikojmë këtë mesazh për të tjerët. Shumë kollaj të jemi solidarë me këtë, apo me atë nga larg, shumë e vështirë ta praktikojmë njëherë vetë dhe pastaj të përdorim atë mesazh për të tjerët”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.