Veliaj dhe Kushi vizitojnë shkollën e re “Murat Toptani” në Selitë
“Murat Toptani” është tjetër shkollë e re, e rindërtuar pas shkatërrimit të tërmetit të 26 nëntorit, e cila hap dyert për nxënësit këtë vit arsimor. Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja zyrtarisht e mësimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi uruan 360 nxënësit që do ulen rishtazi në shkollën 3 herë më të madhe se ajo që kishin, një vit të mbarë në rrugën e dijes, tashmë me kushte të njëjta si shkollat në qendër.
“Sot kemi një gëzim shumë të madh. Mezi pres që këtë investim ta kthejmë në një etalon se çfarë mund të bëhet me hapësirën publike kur investohet me pasion. Kjo ka qenë e gjitha një zonë informale, dikur një fermë bujqësore, por sot ka ndryshuar shumë. Tirana është urbanizuar, qyteti ka ardhur deri në këto limite dhe pyetja është: A e kemi mundësinë të investojmë me të njëjtin standard dhe cilësi, siç bëhen shkollat në bllok, edhe në periferi? Përgjigja është po! Për këtë e kam zemrën plot me gëzim,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se tashmë nuk ka asnjë arsye për dyndjen e fëmijëve në të njëjtat shkolla dhe as për mësim me dy turne. “Zakonisht vektori ka qenë për të shkuar drejt qendrës. Fëmijët përditë torturoheshin për të shkuar te shkollat në qendër. Kjo është arsyeja pse një pjesë e atyre shkollave kanë qenë me dy turne. Sot që kemi shkollën “Murat Toptani”, që është 3 herë më e madhe nuk ka pse fëmijët të humbasin orë të tëra në trafik, në një kohë që mund ta shfrytëzojnë për t’u bërë basketbollistë të mirë, të mësojnë piano, apo kitarë,” tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

