Veliaj: Do anulloj lejet e Lulit dhe Xenit dhe do shkarkoj Florenc Hoxhën
I ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj e cilëso garën për kryeqytetin si një garë mes tij dhe tre kandidatëve të djathtë.
Veliaj tha se është një “Garë e djathtë për bashki mes kandidatëve të tjerë, sepse përballë kam një ministër, një zv.ministër dhe kryetar njësie të PD, të cilët garojnë për t’u profilizuar te PD”.
Sa për denoncimet e Gjergj Bojaxhi për mosreagimet e të majtës lidhur me dhëniet e paligjshme për ndërtime, Veliaj tha se denoncimi është i padrejtë, sepse duhet të thuhet me emër se kujt i përkasin ato ndërtime. “Ato leje kanë emrin e Shkëlzen Berishës te jetimorja dhe të familjes Berisha te liqeni”, – u shpreh ish-ministri i Rinisë.
“Ne nuk japim leje te diga e liqenit, qeveria i bllokoi 3 muaj lejet dhe tani jemi në procese gjyqësore. Do marrim juristët më të mirë për t’i vazhduar çështjet”, – u shpreh politikani i majtë.
“Në datë 23 bashkia nuk do të jetë aleate me betonin, por me qytetarët . 60 lejet që Luli dhe Shëklzeni dhanë në mënyrë të paligjshme, do të jenë një betejë e jona dhe e qeverisë për t’i anulluar që të gjitha”.
Lidhur me akuzat e PD se qeveria ka bllokuar bulevardin, Veliaj tha se “Nuk e bllokuar qeveria bulevardin e Tiranës, qeveria ka kërkuar të jetë në simetri me bulevardin e sotëm, sepse qyteti ka nevojë për parqe, jo për beton. Qytetit do t’i kthehet një park dhe një hapësirë publike që i mungon”.
Lidhur me cilësinë e stafit të ardhshëm të bashkisë së Tiranës Veliaj tha se si gjë të parë “Do të largoj Florenc Hoxhën nga detyra, sepse nuk mund të punoj me një person që rreh gratë dhe që i merr para rryshfet fshatarëve të moshuar që shesin majdanoz”.
Lidhur me premtimet e tij, Veliaj tha se premton gjëra të realizueshme dhe jo premtime që mund ta bënin qesharak, që që ka ndodhur sipas tij me premtimin e Bashës për të ndërtuar tramin. “Unë një fytyrë kam”, tha Veliaj.