Veliaj e kërkon në debat televiziv, Kosova u premton qera zero të rinjve
Muaji i fushatës elektorale ka nisur, ndërkohë që kandidatë vazhdojnë të bëjnë premtime dhe të sfidojnë njëri-tjetrin, në distancë.
Kandidati i mazhorancës për kryetar bashkie në Tiranë, Erion Veliaj, ftoi edhe një herë tjetër kandidatin demokrat Halim Kosova në debat televiziv. – “Nesër, në orën 21:00, e ftoj kandidatin tjetër të dalim përballë në debat. Ka shumë gjëra për të folur, duke nisur që nga premtimet e pambajtura të bashkisë në 4 vitet e fundit”, tha Veliaj, gjatë prezantimit të programit për biznesin e vogël. Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane tha se Bashkia duhet të jetë më e kujdesshme ndaj biznesit.
“Bizneset nuk duhet të jenë të fundit, por të parët që ta kenë derën të hapur, pasi shumica e qytetarëve janë të punësuar aty. Nuk është mbajtur asnjë premtim që i është bërë biznesit në 4 vitet e fundit”, tha Veliaj.
Por kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, ka vijuar takimet me banorë të njësisë nr. 1 në Tiranë. Ai ndau me ta idetë e tij për menaxhimin e qytetit. Për të rinjtë që duan të përfshihen në punë, Kosova premtoi ambiente dhe zyra me qira zero. – “"Të gjithë të rinjtë që kanë një ide, që kanë jë ëndërr, që duan të përfshihen në punë, ne do t’u japim zyra, ambjente me qera zero. Ka një ide në Londër që ne duam ta përqafojmë, ku të rinjtë ftohen të gjykojnë se si e mendojnë ata, po themi në rastin konkret Tiranën, pas 10 apo 20 vitesh. Dhe çdo projekt do të ketë një çmim të caktuar, në mënyrë që të gjithë ta vrasim mendjen, jo çfarë do bëjmë nesër në mëngjes, por pak më larg. Secili të ketë mundësi të prodhojë me talentin që ka dhe secili të ketë mundësi të hapë një biznes që, me prodhimet e tij t'u ofrojë qytetarëve dhe qytetarët ta dinë që ka një qendër ku prodhohet art, kulturë dhe nisma të tjera të vlefshme”, u shpreh kandidati për kryebashkiak.
Duke u ndalur tek infrastruktura, Kosova tha se do të ketë angazhim serioz për projekte të plota dhe të qëndrueshme. – “Kur të bëj një rrugë, mos thuaj faleminderit shumë, mirupafshim, u lamë bashkë. Jo. Rruga do drita, rruga do kanalizime, pastaj përveç këtyre duhet menduar shtëpi më shtëpi si do të regullohet puna. Ndryshimi ka ardhur duke mos u kënaqur kurrë me atë që ke. Turbulloje të tashmen që të kesh sukses për të ardhmen”, tha Kosova.
Ai foli edhe për projekte konkrete për infrastrukturën.