Veliaj: Faleminderit patronazhistë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur krenar sot për të gjithë ata të rinj, që janë motori i fushatës së Partisë Socialiste derë më derë, e kudo nëpër Shqipëri. Nga takimi me të rinjtë zhvilluar së bashku me Kryeministrin Edi Rama në sheshin e ri e modern të ndërtuar në Bulevardin Zogu I, drejtuesi i fushatës së socialistëve në Tiranë tha se energjia e tyre është fuqia e njerëzve të thjeshtë, që sot kontribuojnë për të ardhmen e të gjithëve ne.
“Ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë patronazhistët tanë, për të gjithë djemtë e vajzat që çdo ditë mundohen të kontaktojnë njerëz, të marrin informacion, të shpjegojnë programin, mundohen të thonë se përtej lodhjes, debateve e cinizmit, po ndodhin gjëra prej vërteti, si ky shesh ku jemi mbledhur, i cili më përpara ishte me ferra, si shkolla “Sami Frashëri”, që e degdisën në Paskuqan, por sot po ngrihet më e fortë se kurrë te Rruga e Barrikadave, si sheshi Skënderbej që ishte kartodromi më i madh i atyre që vdesin për makina, i atyre që e kanë kthyer fushatën në një garë kush e ka makinën më të madhe, kush e ka borinë më të fortë, kush nxjerr më shumë se gjysmën e trupit nga makina në autostradë, kush ka “Bentley”, “Range Rover apo “Hummer”,” u shpreh Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

