Veliaj inspekton aksionin e policisë dhe OSHEE-së kundër vjedhjes së energjisë elektrike

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, inspektoi sot operacionin policor kundër vjedhjes së energjisë elektrike në qytetin e Krujës. I shoqëruar edhe nga administratori i OSHEE-së, z. Arben Seferi, ministri Veliaj shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë ndaj policisë dhe operatorit të shpërndarjes për aksionin e ndërmarrë kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

“Ashtu siç askush nuk duron ta vjedhin duke i futur dorën në shtëpinë e tij, ashtu edhe asnjë prej nesh nuk duhet të lejojë që të vidhet shtëpia jonë e përbashkët dhe asetet tona kombëtare si energjia elektrike”, tha z. Veliaj pas inspektimit. Ai shtoi se në qytetin e Krujës humbjet e energjisë në rrjet shkojnë në 70 për qind.

“Humbjet janë 150 milion dollarë ose sa i gjithë fondi i ndihmës ekonomike dhe i personave me aftësi të kufizuar. Nëse kursejmë humbjet në rrjet, kemi mundësi të rrisim pensionet, ndihmën ekonomike dhe pagesat e ndihmës së kufizuar. Për çdo shtresë që do të preket nga heqja e fashës kemi llogaritur që, duke filluar nga 1 janari 2015, 203.928 familje të rimbursohen me rritjen e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe PAK”, deklaroi ministri Veliaj.

Nga ana tjetër, ai ftoi qytetarët e Krujës që të paguajnë energjinë elektrike, të denoncojnë abuzuesit, si dhe të kursejnë energjinë. “Fytyra sociale e shtetit është për ata që janë realisht nevojtarë, ama fytyra dinjitoze e shtetit duket kur ata që nuk e paguajnë energjinë elektrike përballen me ligjin”, tha ai.

Gjithashtu, z. Veliaj nënvizoi se prej shumë kohësh kemi parë fytyrën e shtetit që shoqërohet me ata individët e pandershëm, që vjedhin dhe që shkelin rregullat. “Por, për herë të parë, sot kemi një shtet në krah të atyre që janë të dobët dhe të ndershëm. Të gjithë ata që deri më sot kanë paguar sigurimet shoqërore, taksat, dhe energjinë elektrike, janë të lumtur që më në fund, pas 23 vjetësh, shtetin e kanë në krah dhe jo pas krahëve”, u shpreh ministri Veliaj.

SHKARKO APP