Veliaj inspekton punimet në Rr. “Grigor Cilka”: Bashkëpunimi na çon përpara; Rruga e re rrit ndjeshëm vlerën e pronës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi Rr. “Grigor Cilka”, e cila lidh Njësinë 2 të Tiranës me lagjet e Farkës. Veliaj tha se falë investimit të Bashkisë së Tiranës në periferi, njësoj si në qendër, edhe në këtë zonë do të rritet ndjeshëm vlera e pronës.
“E vlerësoj jashtë mase durimin tuaj sepse edhe Roma s’u bë në një ditë, edhe Tirana s’u bë në një ditë. Tirana ka në inventarin e saj 10 mijë rrugë. Çdo ditë duhet të bëjmë nga një rrugë. Sot i erdhi radha Rr. “Grigor Cilka” dhe më vjen mirë se është një rrugë lidh dy zona, lagjet e Farkës me lagjet e Tiranës. Këtu banojnë si kolonjarët, si kuksianët, nga Korça e Hasi, jemi të gjithë një dhe jemi të gjithë bashkë. E di që edhe ata shokët e mi të politikës thonë ‘jo, po ne jemi den baba den, jo ata janë të ardhur’, por Tirana ka plot njerëz që kanë prodhuar ekonomi, që kanë bërë prokopi, që kanë sjellë rritje të çmimit dhe vlerës së pronës”, tha Veliaj.
Ai shtoi se rruga është po aq dinjitoze se vetë emri që mban, Grigor Cilka, që është emri i mësuesit të shkollës së parë shqipe të vajzave në Korçë. “Tani kemi një rrugë po aq dinjitoze sa edhe emri i madh i mësuesit të shkollës së parë shqipe të vajzave në Korçë, Grigor Cilkës. Ndaj, tani duhet vetëm ta mirëmbajmë. Është vendosur ndriçimi LED, sinjalistika, por do u kërkoja të gjithëve – rrugët janë me kanalina poshtë – nuk ka nevojë të çajmë rrugën për të futur një fije, një kabull, ose një fibër optike. Gjithë infrastruktura ekziston, duhet vetëm mirëmbajtur. Po e mirëmbajtëm vazhdon rritet vlera e pronës”, tha Veliaj.
Në fund, kreu i Bashkisë theksoi se do vijojë puna edhe për rrugët e tjera në çdo cep të kryeqytetit. Ai tha se vetëm duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin vendi shkon përpara dhe jo pas. “Mezi pres që të vazhdojmë edhe rrugët e tjera. Mbaruam rrugë e Agallarëve, në qoftë se bëjmë edhe Çollakët, siç e kemi plan këtë vit, sistemohet e gjithë pjesa e ndërmjetme. Gjithë këto pjesët ndërmjetme, që kanë qenë mes ish-komunave dhe ish njësive bashkiake me këtë investim, trajtohen si pjesët e tjera të qytetit. Të ecësh përpara është shumë më e nevojshme se të shkosh mbrapa. Të bashkëpunosh me njëri-tjetrin është shumë herë më e dobishme për qytetin, se t’i vëmë stërkëmbësha njëri-tjetrit. Mezi pres tani që do vazhdojmë përpara. Do vijmë për një rrugë tjetër. Shumë faleminderit për mikpritjen”, përfundoi ai.