Veliaj inspekton punimet në Urën e Babrroit: Bashkon Tiranën dhe Kamzën si infrastrukturë, por edhe ekonomi

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet te Ura e Babrroit, teksa ndau lajmin e mirë se ajo do të jetë e hapur për automjetet në muajin qershor. Ai tha se ndihet i lumtur që Kamza dhe Tirana do të bashkohen në infrastrukturë, çka do të ndikojë në rritjen e ekonomisë.

“Ne i gëzohemi turistëve që vijnë dhe parave që shpenzojnë këtu, por harrojmë se qyteti nuk ndërtohet nga turistët, por nga njerëzit e punës. Pjesa më e madhe e njerëzve të punës jashtë Tirane vijnë nga Kamza, Paskuqani dhe Babrroi. Janë njerëz që punojnë çdo ditë me ndershmëri, kryesisht në sektorë shërbimesh, në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës. Por, mënyra se si vihej nga Kamza në Tiranë nuk ishte aspak dinjitoze. Pra, vitet e fundit u kemi bërë më shumë yzmet turistëve, që të na gjejnë sa më mirë, dhe kemi ‘harruar’ t’i bëjmë yzmet njëri-tjetrit. Sot kemi reflektuar dhe kjo urë do të bashkojë Tiranën dhe Kamzën në një lidhje e cila më shumë se sa lidhje infrastrukture, është një lidhje ekonomike”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se pas përfundimit të urës, bashkia ka menduar që, në njërën anë të lumit të jetë Unaza e Madhe, ndërsa në anën tjetër të krijohet një park linear, i cili do të shërbejë për të gjithë banorët e zonës për të kaluar disa orë qetësie dhe argëtimi me fëmijët dhe të afërmit.

“Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur! Nuk është ky momenti të gjykojmë historinë 30-vjeçare të ndërtimeve pa leje buzë lumit, por mjafton të shikojmë se si pemët që janë mbjellë buzë lumit, se si rehabilitimi i Lumit të Tiranës, e ka bërë një “përrallë nga e kaluara” historinë e përmbytjeve. Sot e kemi harruar, por lumi nuk ka nevojë vetëm të zbutet nga egërsia e reshjeve, ka nevojë edhe të përdoret. Shumica e qyteteve të mëdha të botës, Roma, Parisi, Berlini, Londra, janë ndërtuar pranë lumit. Ne i shkonim larg kumit se s’dinim si ta trajtonim lumin në ditët e veta të përmbytjeve. Tani që e kemi trajtuar, lumi duhet të kthehet gjithashtu në një park. Kur shikoj që shumë segmente janë lulëzuar, janë mbjellë, njerëzit fillojnë dalin shëtitje, lumi krejt papritur nga rrezik, kthehet në një mundësi. Pra, në njërën anë të lumit do kemi autostradën, unazën, e cila po ecën me ritme të jashtëzakonshme nga ARRSH-ja, ndërsa në anën tjetër të lumit do të kemi një park linear, ku njerëzit duhet të bashkëjetojnë edhe me pjesën urbane të trafikut dhe të ritmit ekonomik që ka Tirana”, nënvizoi ai.

Në fund, Veliaj kërkoi bashkëpunim nga banorët, që të tregojnë pak durim deri në përfundimin e saj. “Mezi pres që ta hapim në fund të qershorit, që të gjithë ata që do të shkojnë mes Kamzës dhe Tiranës, Babrrusë, Paskuqanit gjatë verës, të ndihet një lehtësim. Kërkoj bashkëpunimin nga banorët edhe kur të kemi prishje, sidomos për prishjet e ndërtimeve pa leje, që siç shikohet tani janë bërë vërtet pengesë. Na rroftë që kemi bërë urën, se në momentin që përballemi me ndërtime pa leje në anën tjetër, sigurisht që do t’i trajtojmë sipas rregullave të shpronësimit dhe të rindërtimit, por edhe ata duhet ta pranojnë se qyteti nuk mund të pengohet. Sot Tirana ka shkuar mbi 1 milionë banorë, Kamza ka kaluar 250 mijë banorë, kështu që gjysma e Shqipërisë nuk mund të pengohet nga 2-3 njerëz që ia panë hajrin një ndërtimi të paligjshëm, por në këtë fazë do duhet t’ia shohin hajrin zhvillimit të të gjithë Tiranës dhe të Kamzës simotër”, tha Veliaj.

SHKARKO APP