Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri që lehtëson trafikun dhe modernizon transportin
Puna për ndërtimin e terminalit veri-perëndimor të Tiranës po ecën me ritme të mira. Ky investim i rëndësishëm për transportin ndërqytetas do të lehtësojë trafikun, por edhe do të ofrojë kushte më të mira për qytetarët që vijnë apo largohen nga Tirana.
Në inspektimin e punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky terminal do të përsërisë historinë e suksesit të terminalit jug-lindor në Lundër. Ai shtoi se kjo hapësirë do të strehojë një terminal prej 10 mijë metrash katrorë, me infrastrukturë të përshtatshme për autobusët dhe pasagjerët, duke e ngritur standardin e shërbimit në nivele më të larta.
“Për këdo që ka parë terminalin jug-lindor, terminali veri-perëndimor do jetë i të njëjtit standard, por 3-4 herë më i madh, sa i takon sipërfaqes dhe volumit të pasagjerëve. Fillimisht, në këtë shesh-pushim të madh, do të bëjmë transferimine autobusëve që janë pas shpinës sime. Do të ketë një rreth-rrotullim pa qenë e nevojshme të shkojmë tek ura e lumit të Tiranës, pra pa shkuar në Kodër-Kamzë, për t’u kthyer menjëherë këtu ku jemi, tek ajo që quhet zona e Malajzianit dhe zona e Spitaleve. Nuk do jetë një andrallë aq e madhe dhe trafik i panevojshëm në zonën e Kodër-Kamzës, përveçse atyre që, në fakt, do vazhdojnë nga Kodër-Kamza drejt Kamzës, e pastaj në veri të Shqipërisë”, tha ai.
Veliaj përmendi rëndësinë e sinkronizimit mes terminalit të ri dhe hekurudhës, që po ndërtohet. “Na duhet një bashkëpunim, që pasi të mbarojmë punë dhe të kemi kryer transferimin, të bëjmë edhe lidhjen me terminalin e trenit. Binarët janë në proces vendosje dhe në momentin që këto të dyja kanë një sinkron dhe mbarojnë pothuajse në të njëjtën kohë, atëherë do të jetë e mundur të përdoret aeroporti, porti, terminali multimodal, ku do vendosen edhe taksitë, edhe transporti i qytetas i Tiranës, bashkë me terminalin e trenit; pas kësaj mund të themi se kemi krijuar një portë të Tiranës moderne”, sqaroi ai.
Investimi në këtë terminal është një hap i rëndësishëm për të risistemuar zonat e njohura si Malajziani dhe Kthesa e Kamzës, duke reduktuar trafikun e panevojshëm dhe duke krijuar një model më të rregulluar të qarkullimit. Veliaj e cilësoi këtë projekt si një fitore për publikun dhe një shembull të mbrojtjes së territorit publik nga abuzimet e së shkuarës.