Veliaj me administratorët e pallateve: Banorët të aplikojnë për fondin e komunitetit, rrit ndjeshëm vlerën e pronës

Hapja e thirrjeve të reja për vitin 2024, sa i përket bashkëpronësisë dhe ruajtjes së ambienteve në pronësi të përbashkët ka qenë në fokus të bashkëbisedimit që kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi me administratorët e pallateve në kryeqytet. Sipas kryebashkiakut, edhe kjo nismë e iniciuar nga Bashkia e Tiranës, ashtu si në çdo punë dhe projekt në shërbim të kryeqytetit ka hasur në kundërshtinë e opozitës.

Për kreun e Bashkisë, vëmendja duhet t’i kushtohet shumicës që jeton punon me ndershmëri dhe atyre që e duan qytetin. “Ka një minorancë që bën zhurmë çdo ditë, për çdo lloj pune. E filluan edhe tek këndi i lojrave me zhurmë, edhe tek Astiri, Pazari, edhe tek Kalaja, tek liqeni, edhe tek liqeni dytë i Farkës, edhe tek bulevardi. Pothuajse çdo punë. Edhe këtu tek Liceu, thane: “jo, po këta do bëjnë pallat”, ndërkohë shikoni çfarë auditori! Duket sikur i kushtojmë shumë vëmendje një grupi të vogël që bën zhurmë dhe harrojmë një shumicë njerëzish që jeton, që punon me ndershmëri, që e do qytetin, që mban pastër, që do rregull, që ka një komunikim serioz me komunitetin, që kupton që atdheu nuk fillon tek pika doganore kufitare, por fillon tek shtëpia, pallati yt, tek shesh pushimi, tek mënyra se si bashkëpunon me komunitetin”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se rritja demografike e Tiranës si dhe fluksi i qytetarëve të huaj që kanë zgjedhur të jetojnë apo punojnë në kryeqytetin shqiptar do të diktojë rrjedhimisht ndjesinë e menaxhimit të aseteve në komunitet edhe në gjuhë të huaj. Rritja e investimit në Real Estate, si një ndër fushat më të mëdha të investimit në kryeqytet, për kryebashkiakun konsiderohet si një lajm i jashtëzakonshëm, pasi do të sjellë automatikisht edhe rritjen e vlerës së pronës dhe cilësisë së jetesës në Tiranë.

“Në momentin që ky investim rritet, siç është rritur në këto 8 vite të kësaj administrate, për 93% të Tiranës që janë pronarë ky është një lajm i mirë, i jashtëzakonshëm, një lajm që secili njeri, edhe ata sharësit janë bërë më të pasur, se shajnë nga një divan në një shtëpi që vlen më shumë, vlen 2-3 herë më shumë, se sa vlente kur shanin përpara 8 vitesh për këndin e lojrave. Sot, edhe sharësi, ciniku më i madh, mohuesi më i madh i ndryshimit është bërë gjithashtu më i pasur”, tha ai.

Veliaj bëri thirrje që 2024 të jetë viti ku të gjithë pallatet në kryeqytet të kenë administratorin e tyre. Sipas tij ky objektiv synon të nxisë ndjesinë e bashkëpronësisë dhe bashkëpunimit të vetë qytetarëve, ndërkohë që dënoi ashpër edhe sulmet vandale ndaj një ndërtese monument kulture, siç është Bashkia e Tiranës.

“Na rezulton në të gjithë botën, aty ku qytetarët marrin një pjesë ndihen pronarë. Ndërkohë po e bëri vetëm Bashkia vandalizohet si ata që hedhin molotov dhe thonë që jemi për teatrin dhe ndërkohë një monument kulture si ndërtesa e Bashkisë, nuk e kanë fare problem ta djegin dhe kjo fillon pastaj bëhet rrugë. Ndaj dhe në këtë sens, kërkohet ky bashkëpunim, ku Bashkia gjithmonë është mbi 50% pasi paguan dhe për pensionistin. Aty është edhe më kollaj se ata i mbulon Bashkia dhe vetëm ata që janë në marrëdhënie pune do paguajnë pjesët e tyre”,-tha Veliaj.

Në fund të fjalës së tij, Veliaj nuk la pa përmendur edhe çështjen e shesh pushimeve në pallate, duke e cilësuar si një hapësirë që duhet ruajtur e mirëmbajtur nga të gjithë banorët. Përgjatë 7 viteve, fondi i komunitetit, me vlerë 100 milion lekë të reja në vit ka mbështetur 174 projekte.

SHKARKO APP