Veliaj me ekselentët e gjimnazit “Ismail Qemali”: “Së shpejti nisim ndërtimin e dy shkollave të reja

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi sot një bisedë me nxënësit ekselentë të gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet dhe u ktheu përgjigje pyetjeve që ata kishin për projektet e qytetit. Velaij tha se pesha e vëmendjes duhet të jetë gjithmonë të çunat dhe gocat që mësojnë fort, që i marrin gjërat me meritë, që kanë talent, që besojnë te gara dhe puna e palodhur. Ai ndau lajmin e mirë për ndërtimin e dy shkollave të reja.

“Një do jetë në zonën e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, që dikur njihej si Poligrafiku, mes shkollës “Abdulla Keta” dhe “Ismail Qemali”, sepse ajo është një lagje e stër-rritur, por do të ketë edhe një tjetër te zona që quhet Spitali i Arabëve, në Sauk. Shkollat “Kosova”, “Osman Myderizi”, “Mihal Grameno” dhe “Bashkim Fino” i çojnë të gjithë nxënësit tek “Ismail Qemali”, ndaj duam ta zgjidhim përfundimisht çështjen e këtyre dy lagjeve për gjimnaze. Kemi zgjedhur edhe terrenet, ndaj është çështje kohe sa të fillojmë investimet. Kemi bërë rreth 40 shkolla, por prapë nuk mjaftojnë sepse Tirana është rritur aq shpejt vitet e fundit, sa duhet të kapim ritmin e një Tirane të madhe, plus edhe çfarë mund të rritet në vijim, për sa kohë që trendi nuk po ndalet”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se vitin tjetër do të jetë hera e parë që Tirana do mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut” dhe nënvizoi se qyteti duhet promovuar sa më shumë. “Viti tjetër do të jetë vërtet një vit model sepse do të jetë hera e parë që Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Duam të vazhdojmë të provojmë se turistët nuk vijnë vetëm për të bërë një foto te sheshi Skënderbej. Në qoftë se s’kanë aktivitete ku të shkojnë dhe në qoftë se nuk kanë pika ku të fokusohen, atëherë bëhet e pamundur që eksperienca në Shqipëri t’ia vlejë të komentohet dhe t’ia vlejë për t’u ndarë me të tjerët. Mezi pres që në vitin tjetër, kush do vazhdojë për dramë, për teatër, për pikturë, për skulpturë, për regji, të vijë me projekte dhe ne do kemi një buxhet më të madh, pikërisht për të provuar se nuk janë lekë të harxhuara, janë lekë të investuara. Ato prodhojnë prapë ekonomi”, tha Veliaj.

SHKARKO APP