Veliaj: Më intereson shumica e heshtur, jo pakica zhurmuese, që lë jahtin me pushime dhe vjen të protestojë
Qytetarët e Prushit, si një nga zonat më industriale të Tiranës, përveç investimeve dhe zhvillimit rezidencial të saj, do të kenë shkollën e tyre të re, me kushte moderne. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se shkolla “Ibrahim Hima” do të jetë një “pikë graviteti” për gjithë komunitetin. Ajo do ndërtohet tre herë më e madhe se ajo ekzistuese, duke njehsuar kështu standardin e shkollave në qendër me ato të periferisë.
“Nëse do kishte medalje olimpike për shkollat e reja, Bashkia e Tiranës do ishte patjetër fituese. Kemi ndërtuar mbi 44 shkolla të reja. Sot shkojmë në një shkollë totalisht moderne, siç janë edhe gjithë shkollat e tjera. Siç kemi bërë “Bedri Llagamin”, ashtu do bëjmë edhe shkollën “Ibrahim Hima”. Do të shkojmë nga një shkollë e ndërtuar në vitet ’60, pra 64 vite më parë, në një shkollë me standardet e vitit 2024”, tha Veliaj.
Për kreun e Bashkisë, mbështetja nga shumica e heshtur është gjithmonë ajo që i çon përpara projektet për qytetin. Veliaj tha se nuk i intereson aspak pakica që bën zhurmë.
“Mua më intereson shumica e heshtur, jo ajo pakicë që bën zhurmë dhe lë jahtin në pushime, për të ardhur e protestuar e për të thënë atë refrenin banal: ‘E duam aty ku ishte ,siç ishte’. Aty ku ishte patjetër, por shumë herë më të madh dhe shumë herë më të bukur. Si me parimin e teatrit, aty ku ishte, por diçka ultra moderne, kështu edhe për shkollën. Do ndërtohet këtu ku është, por shumë më moderne, me një sipërfaqe më të madhe, me ambiente dinjitoze, jo me furrikun që shërben për nevojat personale, jo me ferrat që rrethojnë shkollën, pa hapësira sportive. Aty ku ishte, por shumë herë më të madhe, shumë herë më të bukur dhe shumë herë më të fortë”, theksoi ai.
Teksa falenderoi banorët e zonës, kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin e tyre, sa i përket nevojës për shpronësim, për t’i hapur rrugë një projekti me standarde cilësore, që sipas tij, do të rrisë vlerën e pronës dhe do të jetë “qershia mbi tortë” për komunitetin e zonës së Prushit.