Veliaj në Gosë: PS është në krye të punëve, PD-në e ka mbuluar acari moral
Nga Gosa e Rrogozhinës, ku zhvilloi një takim me strukturat e PS-së, drejtuesi politik i socialistëve për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se më 25 prill pritet vetëm thellimi i rezultatit të Partisë Socialiste, pasi opozita e ka humbur busullën. Ndër të tjera ai theksoi se të jesh sot me Partinë Demokratike është fyerje, pasi kur demokratët presin prurjet e reja për zgjedhjet e 25 Prillit, shohin që kandidatë për deputetë caktohen emrat që deri më sot janë përdorur si meme nëpër rrjetet sociale.
”Pra, të jesh sot me PD-në duhet të jesh njeriu më i fyer nga partia jote sepse vendet t’i zënë këta që deri dje bëheshin meme po kandidojnë të gjitha memet e rrjeteve, karikaturat e Instagramit, kurse demokrati i thjeshtë rri e ngrohet në diell, se ai do e marrë vesh i fundit”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se PS-ja është e vetmja forcë politike, e cila ka treguar përgjegjshmëri në krye të punëve të vendit. Sipas tij, tërmeti dhe pandemia treguan se qeveria dhe bashkitë ishin të gjitha në këmbë për përballimin e situatës, duke qenë pranë njerëzve në nevojë.
”Njerëzit do të mbajnë mend se kur Partia Socialiste është pushtet, mund të bjerë qameti, pandemia, por vendi ka zot, shteti ka qeveri, qyteti ka kryetar. Kjo është më e rëndësishme. Të binte tërmeti në orën 03:54 të mëngjesit dhe të ishte Luli në krye të shtetit, ai jo vetëm që do ishte në gjumë, por do të kthehej në anën tjetër. Do kishim marrë fund se ai zgjohet në 11:00, si përditë. Ama diferencën e bën dikush një ngrihet në këmbë për një minutë, një kryeministër që lëviz çdo gur, njohje personale e politike për të sjellë vaksinën”, tha Veliaj.