Veliaj në Kavajë: Ne jemi si një familje e madhe e bashkuar, sot fillojmë maratonën për zgjedhjet e ardhshme
Në vijim të procesit për hapjen dhe energjizimin e Partisë Socialiste, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me strukturat në Kavajë. Ai ftoi të gjithë anëtarët e vjetër dhe të rinj të Partisë Socialiste në Kavajë, që të punojnë fort për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë dhe të lënë mënjanë stërkëmbëshat.
“Kush është duke bërë gol në stadium, nuk ka kohë të merret me ata që janë ulur te shkallaret; kush i ka sytë te finishi, nuk ka kohë, nuk ka dëshirë, nuk ka energji të merret me stërkëmbëshat, apo me gjithë çudirat që nuk i mungojnë vendit tonë. Ftesa ime për secilin prej jush është: Nga ky moment, sot fillon maratona, e cila zgjat fiks një vit. Shoh që jeni ulur si në një event familjar, se në fakt kjo është familja jonë e madhe. Sa bukur duket shtëpia e madhe! Tavolina e madhe! Skuadra e madhe! Ekipi i madh! Bashkimi bën fuqinë! Për të gjithë ata që fillimisht kanë hapur mendjen e tyre, pastaj edhe organizatën e tyre për anëtarësime të reja, keni gjithë mirënjohjen dhe respektin tonë. Për të gjithë ata që sot janë bashkuar me forcën tonë, mirë se erdhët në një familje më të madhe! Në një familje që i ka të gjitha gjeneratat, të gjithë grupet, të gjitha prejardhjet, nga Veriu, nga Jugu, që nuk diskriminon askënd, sepse është familja jonë e madhe që zgjedh sot autoritetet që qeverisin Shqipërinë, që na çojnë më afër Evropës, me një kryeministër si Edi Rama dhe me simbolin tonë, trëndafilin në grusht të PS-së”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se falë punës së palodhur të ekipit të Partisë Socialiste, në çdo cep të vendit, edhe kundërshtarët politikë janë më të lirë, ndryshe nga koha kur opozita rrihej dhe kërcënohej për mendimin ndryshe.
“Është më kollaj të jesh me familjen socialiste sepse vendi ka një liri të jashtëzakonshme për të thënë mendimin tënd. Madje, edhe kundërshtarët tanë janë sot më të lirë. Mbaj mend kur ne protestonim, gjuhej me plumba në mish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dikush tjetër persekutohej tërë jetën nga funksionet publike. Ishte një kohë kur sa më shumë të rrihje socialistët, aq më shumë ngriheshe në detyrë, bëheshe gjeneral në SHIK. Ai që rrihte Edi Ramën, apo ai që zhdukte Remzi Hoxhën, sigurisht që promovohej. Sot jemi në kohë krejt të tjera! Sot është një moment ideal për të qenë socialist, por sot është një moment ideal edhe për të pasur mendime të ndryshme nga socialistët. Asnjë njeri nuk të kërcënon, asnjë njeri nuk të rreh, asnjë njeri nuk të vret me plumba në mish, asnjë njeri nuk humbet. Jetojmë në një Shqipëri që është më e mirë, në një Qark të Tiranës që është më i mirë, në një Kavajë që është më e mirë dhe unë jam i bindur në një Parti Socialsite që sot është më e fortë, edhe më e bashkuar se kurrë”, tha Veliaj.