Veliaj nga shkolla e re “Klodian Tanushi”: Sot na duhen heronj të tillë, jo ata që në ditën më të vështirë duan rritjen e pagave milionëshe
Major Klodian Tanushi, i cili humbi jetën 3 vite më parë në krye të detyrës, gjatë shërbimit me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Letoni, është përjetësuar me emrin e një shkolle në Tiranë.
Godina e re, e sapondërtuar për 600 nxënës të zonës së Qesarakës, u përurua sot nga Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
“Sot është një ditë e trishtë sepse kujtojmë shokun tonë, djalin tuaj që nuk është më, por një gjë është e sigurt: ky emër, kjo shkollë do të jetë këtu në jetë të jetëve. Para disa ditësh, Klodiani do të kishte mbushur 42 vjeç, fiks sa mosha ime sot, por na la një reputacion të jashtëzakonshëm, prandaj duhet të jeni krenarë. Sot kemi nevojë më shumë se kurdo për frymëzim. Megjithatë, unë sot kam një pyetje: A jetojmë jetë të denja, që nesër, kur të mos jemi më, të na kujtojnë me një emër rruge apo shkolle? Dhe kur dëgjoj se, në të njëjtën ditë, profesorë me rroga mbi një milion lekë thonë do të bëjmë grevë urie se ne Shqipëria na ka borxhe, më vjen vërtet turp. Sot kujtojmë një dëshmor, dje kujtuam një profesor. Kujtojmë njerëz që kanë dhënë kontribute, të cilët nuk thonë çfarë do të bëjë Shqipëria për mua, por unë çfarë do të bëj për Tiranën dhe Shqipërinë. Nga ana tjetër, kemi njerëz, të cilët kanë qenë zyrtarë të SHIK-ut, dhe thonë: “Shqipëria, – në ditën e saj më të vështirë, – çfarë do të bëjë për mua?”, tha veliaj.
Ai apeloi që pedagogët t’i rikthehen mësimit, pasi siç u shpreh Veliaj, një komb që di, ecën përpara më shumë sesa një komb që ka.
KOHA JONË SONDAZH

