Veliaj: Po punojmë gjatë verës në Tiranë, që qytetarët ta gjejnë gati pas pushimeve. Investimi rrit vlerën e pronës
Bashkia e Tiranës po vijon me ritme të shpejta punën për rehabilitimin e hapësirave mes pallateve në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në terren, ku ekipet po ndërhyjnë për transformimin e zonës, e cila pas investimit pritet ta rrisë vlerën e pronës përreth me 30-40%. Veliaj tha se do të kryhet edhe unifikimi i fasadave përmes Fondit të Komunitetit.
“Është 40 gradë dhe, për sa kohë që shumica e njerëzve janë për pushime, edhe ne kemi një moment të përshtatshëm për punuar. Këtu po bëjmë një investim që do ta rrisë jashtë mase vlerën e pronës. Njerëzit do rikthehen nga pushimet me një shtëpi që vlen të paktën 30-40% më shumë, vetëm prej faktit se do të ketë kanalizime, ndriçim LED, infrastrukturë, një ‘ishull’ për të moshuarit. Sigurisht, do të doja që të vijonim edhe me unifikimin e fasadave. Kush i ka pasur mundësitë, e ka bërë vetë tashmë. Por, të tjerët që kanë pasur më të pamundur, nëse janë me aftësi të kufizuar, nëse janë pensionistë, pjesën e tyre e paguan Bashkia. Dua që këtu të japim shembullin se çfarë do të thotë ndërhyrja kapilare. Shumë njerëz, me të drejtë thonë që, deri sa të vijë asfalti te shtëpia ime, që këmba të mos më shkelë në baltë, projekti i Tiranës nuk quhet i mbaruar. Mund të kemi bërë 90% të punës, po nuk quhet i mbaruar deri sa t’i shkojmë secilit te dera e shtëpisë”, tha Veliaj.
Një ftesë, Veliaj e pati për të gjithë banorët e zonës, që të regjistrojnë fëmijët në çerdhet, kopshtet dhe shkollat pranë shtëpive të tyre, të cilat janë ndërtuar me të njëjtin standard, si ato në qendër të qytetit. Ai shtoi se në këtë formë krijohet mundësia për t’i shërbyer fëmijëve pa u mbivendosur, duke ofruar të njëjtin shërbim në të gjitha institucionet.