Veliaj pret Shqiprim Arifin: Tirana do negociojë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin, me të cilin diskutoi çështjet dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës. Kryebashkiaku theksoi se Tirana do të jetë gjithmonë një derë e hapur për secilin prej tyre.
“Kjo është shtëpia juaj, një derë dhe një zemër e hapur. Duam që zëri ynë të bashkohet me zërin tuaj për disa çështje shumë kritike dhe shqetësuese, siç është pasivizimi apo humbja e disa të drejtave prej marifetesh administrative, që përjashtojnë një qytetar nga marrja e shërbimit apo mundësia për të shfrytëzuar dhe investuar në pronën e tij, apo për të qenë sipërmarrës”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit në Europë nuk duhet të shihet si një katapultim në Bruksel, por si një mënyrë evropiane për të zgjidhur këto çështje. “E shoh me keqardhje që jetojmë në një situatë kur Shqipëria dhe Kosova i gëzohen abetares së përbashkët, por abetaren na duhet ende ta kontrabandojmë në Preshevë. Kjo duhet zgjidhur! Ne nuk mund të kontrabandojmë idetë progresive, ato janë universale, duhet t’u shërbejnë të gjithëve. Nuk besoj se duhet të ketë gëzim Shqipëri-Kosovë, nëse s’kemi gëzim edhe në Preshevë, edhe në Tuz, edhe në Tetovë. Për të gjitha këto arsye, na konsideroni një zë të shtuar në korin e mbështetësve të Preshevës dhe që advokon të drejtat e qytetarëve aty. Ne do ta ngrejmë zërin kudo ku kemi mundësi ta bëjmë”, shtoi Veliaj.
Me theks të veçantë, Veliaj dhe Arifi diskutuan mbi vënien në funksion të Fondit Kombëtar të Solidaritetit, si dhe për projekte të rëndësishme për qytetin e Preshevës. Veliaj vlerësoi edhe vendimin e shqiptarëve të Preshevës për t’u bërë bashkë.
KOHA JONË SONDAZH

