Veliaj prezanton programin: Zgjidhim 3 mijë probleme në 300 ditë

 

Kandidati i mazhorancës prezantoi në Qytetin Studenti platformën e tij. Ai tha se 300 ditët e para do të ndërhyjë për problemet dhe shqetësimet më të ndjeshme për qytetarët, duke hequr një paralele me ndërhyrjen që bëri Qeveria e majtë në shkallë vendi, pas ardhjes në pushtet në 2013-ën.

“Kemi plot 3 mijë probleme që kanë të bëjnë me 300 ditët e para të qeverisjes vendore, ashtu si 300 ditët e para të Qeverisë, për t’u siguruar që ndërhyrja jonë është një ndërhyrje kirurgjikale”- tha Veliaj.

Kandidati i ASHE përmendi renditi problemet, sipas tij, në infrastrukturë, sport, arsim, ambiente të përbashkëta e të tjera. Veliaj foli edhe për Bulevardin e ri të Tiranës, ku tha se do të jetë një park që do t’i shtohet kryeqytetit si një tjetër mushkëri.

Ndërsa kryeministri Rama, në fjalën e tij, vuri në dukje se reformat e nisura nga qeveria e tij kanë filluar të japin efektet e tyre, provë për të cilën është sipas tij edhe paketa prej 1.2 miliard dollarë nga Banka Botërore.

“Banka Botërore vlerësoi vendosmërinë e qeverisë për t'u ndarë nga e shkuara. Këto 18 muaj ishin shumë pak për të zgjidhur problemet e shumta të Shqipërisë. Por këto 18 muaj ishin të mjaftueshëm për të treguar se e ardhmja do të jetë më e mirë”, deklaroi Rama, i cili specifikoi disa prej reformave që kanë dhënë sipas tij më shumë rezultat.

“Qeveria vendosi të ndërmarrë një reformë radikale për çështjen e energjisë. Në një vit borxhi i energjisë kishte shkuar në 1 miliard dollarë. Energjia trajtohej si mall pa të zot. Ndërsa sot kemi mbi 300 mijë konsumatorë që kanë nënshkruar aktmarrëveshje. Në arsim mbyllëm të gjitha universitetet që fabrikonin diploma dhe hoqëm një numër tekstesh shkollore absurde. Sot ilaçet janë 30 për qind më të lira, ndërkohë që shtuam 85 barna në listën e rimbursimit. Gjithashtu, sot në spitalet tona ka filluar të hyjë edhe tele-mjekësia”, tha Rama.

Ai u shpreh më tej se sot, është mëse e qartë se, nuk ka ministër që nuk e ka luftën kundër korrupsionit prioritet. “Ende nuk e kemi zgjidhur problemin e papunësisë, por jemi në rrugën e duhur”, shtoi më tej Rama.

/ Top Channel

SHKARKO APP