Veliaj: Së shpejti do të kemi qendrën më të madhe në Ballkan për fëmijët e spektrit autik dhe me aftësi ndryshe
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë për hapjen e konkursit për ndërtimin e qendrës më të madhe të ekselencës për fëmijët e spektrit autik dhe sindromës down. Ai ftoi të gjithë arkitektët që kanë ide për t’u bërë pjesë e konkursit.
“Ashtu siç bëmë me Piramidën, pronën më të shtrenjtë në Tiranë, ia kushtuam fëmijëve me kurset falas për kodim, duam që pronën te “Pëllumbat”, tek Ambasada Amerikane, ta kthejmë në qendrën më të madhe të ekselencës për shërbimet e fëmijëve me spektrin autik edhe sindromës down. Është një nga nevojat më të mëdha të qytetit. Një qytet i mirë, ka vend për të gjithë, ka zemër për të gjithë.
Nuk jemi një qytet nga më të pasurit në botë, por gjersa gjen mundësi për të subvencionuar studentët, për të subvencionuar fëmijët që marrin kurse kodimi, për të subvencionuar të moshuarit që marrin një abone falas, duhet të gjejmë dhe i kemi gjetur paratë edhe për fëmijët e spektrit autik dhe sindromës doën. Unë besoj se është ndihmë për fëmijët, por sidomos për prindërit. Mezi pres që edhe nga arkitektët të marrim disa propozime të mira, sesi mund ta kthejmë këtë në një qendër ekselence për gjithë Ballkanin, si Piramida sot”, u shpreh Veliaj.