Veliaj shpall fitoren e thellë në Tiranë: Ju premtoj përulësi, modesti dhe mëngë të përveshura për punë të mira
Pas fitores së thellë për bashkinë e Tiranës, me një diferencë prej gati 60 mijë votash me kundërshtarin, kryetari i rizgjedhur në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi të gjithë qytetarët që i besuan një mandat të tretë, për të çuar punët përpara punët e kryeqytetit. Veliaj tha se do jetë kryetar i të gjithëve dhe u premtoi qytetarëve të Tiranës, përulësi dhe mëngë të përveshura në shërbim të qytetarëve.
“Faleminderit secilit nga zemra, për përkushtimin e jashtëzakonshëm në këtë rrugëtim, në këto ditë kaq emocionuese, kaq të ngarkuara, por kaq të shpërblyera me këtë fitore. Dua të falënderoj të gjithë kryetarët e PS-së, në të 27 njësitë e Tiranës. Ne nuk kemi fituar vetëm Bashkinë e madhe të Tiranës, kemi fituar masivisht në të 27 njësitë e Bashkisë së madhe të Tiranës.
Një rezultat 27 me 0, ku në të gjitha njësitë jemi mbi 50%. Dua të falënderoj ata që prodhuan fitoren tonë, falënderoj 300 mijë votues të Tiranës, që pavarësisht se dita ishte me shi, pavarësisht se për tre orë patëm problematika në shumë qendra votimi, pavarësisht se disa ishin sëmurë dhe shkuan me barrelë, pavarësisht se disa ishin me paterica apo me karrige me rrota, pavarësisht se disa ishin ende duke kaluar situata të vështira prej një sëmundje, dolën të votonin, ju falënderoj me zemër!
E konsideruam votën e shenjtë, ditën e shenjtë dhe e shfrytëzuam si një mundësi për të folur fort dhe për të folur qartë. Faleminderit 55% të Tiranës, votuesve të saj, që na dha një mandat të qartë, folën kthjellët, na dha një mesazh të pastër, na dha një vendimmarrje për një Tiranë që në shumicën dërrmuese të saj do që të ecë vetëm përpara, do që të vazhdojë punët që janë nisur, do që Tirana të bëhet gjithmonë e më europiane dhe të vazhdojë të jetë motori i zhvillimit në Shqipëri. Kjo fitore nuk më ngjiti në qiell, më uli në tokë, si asnjë mesazh tjetër, si asnjë votë tjetër. Ndaj, sot ju premtoj përulësi, modesti një kokë të ulur dhe mëngë të përveshura për të ecur përpara”, tha Veliaj.
Mandej, ai tha se Tirana na tregoi shumë qartë se më shumë se gishtin, kërkon një dorë të shtrirë dhe një dorë të shtrënguar. “Tirana tregoi se pëlqeu ata që mbjellin pemë, në vend të atyre që përçajnë. I them të gjithë demokratëve se do të jem edhe kryetari juaj, me përulësi, njësoj siç administrata jonë nuk i ka ndarë njerëzit në të majtë e të djathtë. Dua të falenderoj ata të djathtë që nuk pranuan që zgjedhjet lokale të ktheheshin në zgjedhje pro dhe kundër Amerikës. Dua të falenderoj edhe ata që mendojnë ndryshe nga ne dhe t’iu them që vota juaj nuk është e kotë”, përfundoi Veliaj.