Veliaj takim me kryetarët e rinj të PS në Tiranë: Krenar për punët e mira që kemi bërë
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj dhe Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi, zhvilluan një takim organizues me drejtuesit e rinj të PS-së në kryeqytet, për të diskutuar mbi zgjedhjet e ardhshme lokale. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj e vuri theksin te fakti se përgatitjet duhet të nisin që tani, kur na ndajnë pak më shumë se 200 ditë nga zgjedhjet, ndërsa shtoi se për secilin prej tyre është një privilegj që drejtojnë një degë të PS.
“Ecejaket e vendit tonë kanë qenë pak si Kalaja e Rozafës: PS ndërton, vijnë ata opozita natën shkatërrojnë; lind dita prapë, PS-ja ndërton, vijnë këta të tjerët opozita e çojnë prapa. Mesa duket, kur janë ndarë rolet në politikë, PS-së i ka rënë roli i ndërtimit dhe i progresit, kurse atyre u ka rënë një rol jo aq i lavdishëm. Por, ne jemi këtu të bëjmë llogaritë tona. Fakti që ne, si PS, jemi të aftë të ndryshojmë veten, japim garanci që e ndryshojmë edhe vendin. Këtë do të vazhdojmë të bëjmë edhe në Bashkinë e Tiranës, edhe në Qarkun e Tiranës”, tha Veliaj.
Ai shtoi se zgjedhjet e ardhshme janë një mundësi e jashtëzakonshme për të vijuar punët e mira në qytet. Partia Socialiste, sipas tij, ka qenë gjithmonë gati në çastet më të vështira për vendin. “Imagjinoni sikur të kishte ndodhur tërmeti në kohën e gjumit në Bashkinë e Tiranës. Jo tërmet, po këtu nuk punonte as Sahati. E gjetëm Bashkinë e Tiranës mbuluar me graffiti, tre metra nga zyra e kryetarit të Bashkisë. Imagjinoni të kishte rënë pandemia në kohën e Nard Nokës. Se vërtet themi ishte sfidë kur erdhën vaksinat, sa shpejt erdhën respiratorët, me gjithë përpjekjet titanike të Edit dhe qeverisë sonë për t’ia dalë me tërmetin dhe me vaksinat. Por imagjinoni sikur këto taksirate të kishin rënë në atë kohë”, nënvizoi Veliaj.