Veliaj takim me socialistët e Kasharit: PS është forca që ka sjellë gjithmonë siguri dhe mirëqenien për qytetarët

Për drejtuesin Politik të PS për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, zonat si Lagjja 14, Astiri dhe Kashari kanë sjellë rezultatin më transformues për Partinë Socialiste. Në takimin me strukturat e PS në zonë, ku nderoi me certifikatën e mirënjohjes disa prej anëtarëve socialistë, Veliaj shtoi se Lagjja 14 dhe Kashari, në kohën e ish-komunave, vuante mungesën e infrastrukturës, kurse sot është një nga hapësirat që ka ndryshuar më shumë në Tiranë.

“Jam shumë mirënjohës për punën e jashtëzakonshme që është bërë këtu. Kashari është një portë hyrëse në Tiranë, po ashtu edhe Njësia 14. Duhet ta pranojmë, këto janë disa nga njësitë me më shumë sfida, por kjo është edhe një nga hapësirat që ka ndryshuar më shumë në Tiranë. Astiri dhe Njësia 14 janë bërë më të jetueshme, kanë infrastrukturë. Unë e di se çfarë kemi trashëguar nga ish komunat, ishte një situatë mediocre, ku s’ka pasur as minimumin e infrastrukturës. Sot jemi te faza kur po bëjmë shkolla, kopshte të reja, çerdhe të reja, ku i kemi ofruar një shërbim të ri njësisë administrative”, deklaroi Veliaj.

Ai theksoi se PS ka treguar gjithmonë që është forca që ka sjellë siguri dhe stabilitet për vendin. “Shqipëria nuk do ishte e njëjta pa Partinë Socialiste, që e ka marrë gjithmonë drejtimin pas një disfate, pas një dështimi, pas një falimentimi të shtetit. Ka sjellë gjithmonë siguri, mirëqenie, ka balancuar financat, ka sjellë paqe mes njerëzve, ndërkohë që e kemi trashëguar vendin nga vëllavrasja, Piramidat, nga 21 janari, nga kushte të jashtëzakonshme.

Sot jam vërtet mirënjohës, që këtë takim e kemi kryesisht për t’u përkulur me falenderim ndaj gjithë atyre që kanë 33 vite që e mbajnë skuadrën tonë të fortë. Le ta pranojmë, kjo është një nga zonat ku ne nuk kemi qenë fitues, por e kemi filluar me një rezultat modest. Kurse sot jemi në një gjendje krejt tjetër. Sot Njësia 14, Astiri dhe Kashari kanë sjellë rezultatin më transformues për Partinë Socialiste në gjithë qarkun e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP