Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin
Në prezantimin e projektit për rehabilitimin e Lumit të Lanës, nga Ura Teknologjike deri te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kishte edhe një mesazh për opozitën, për të cilën solli në vëmendje se është bërë gjithmonë penguese e projekteve për zhvillimin e qytetit. Veliaj deklaroi me siguri se punët e mira do të vijojnë të bëhen në qytet, pavarësisht kundërshtimeve.
“Kam një thirrje për politikën: Mos u përfshini në këtë histori! Ndonjëherë, ndodh që i shikojmë investimet si një ububu e madhe. Por, duhet ta pranojmë se kjo ububu e madhe nuk vjen nga njerëzit e thjeshtë. Nuk ka njeri që nuk ka dalë një herë nga Shqipëria, që të shikojë se si është zhvilluar bota. Kjo problematikë ndodh sepse në investime përfshihet politika”, tha Veliaj.
Duke u ndalur te rasti i fundit në Këshillin Bashkiak, Veliaj tha se pavarësisht situatës së krijuar, vendimet do të merren, ashtu siç një prej tyre ishte miratimi i transferimit të godinës së Gjykatës së Lartë në fillim të Bulevardit të Ri. Ai shtoi se projekti parashikon edhe transferimin atje të godinës së shërbimeve të Bashkisë së Tiranës.