Veliaj: Tirana, nga qytet i izoluar në qendër turizmi; kanë ndryshuar realitetin dhe vlerën e pronës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh sot entuziast për transformimin që do të ndodhë me stadiumin e ri “Selman Stërmasi”. Në aktivitetin për programin “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Veliaj foli edhe për projektet që kanë transformuar Tiranën në dekadën e fundit. Ai u shpreh se Tirana, dikur një qytet i izoluar, sot ka evoluar në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe turistik, me infrastrukturë moderne dhe hapësira publike të standardeve europiane.

Një simbol i ndryshimit të madh që ka ndodhur në Tiranë, sipas tij është zona që rrethon stadiumin “Selman Stërmasi”. “Kur e filluam këtë detyrë, ky stadium ishte një parkim i madh autobusësh dhe një vend ku shiteshin makina të përdorura. Sot duket si një përrallë nga e kaluara. Ai ishte imazhi ynë në ato kohë dhe ai ishte imazhi që na ishte bërë si rutinë, ishim mësuar me të keqen dhe bashkëjetonim me të shëmtuarën. Por, falë vizionit të Kryeministrit dhe gjithë asaj pune të jashtëzakonshme që është bërë në Tiranë, sot kemi provuar se, nga vendi më i izoluar i Europës, të jemi qendër e turizmit”, tha ai.

Veliaj tha se stadiumi “Selman Stërmasi” është ndërtuar në vitin 1955, si një replikë e stadiumeve sovjetike të kohës. “Përpara se të fillojë histeria, siç fillon për çdo projekt, është shumë e rëndësishme të kuptojmë faktet: cila është vlera arkitekturore? Në qoftë se te ‘Qemal Stafa’ kishin vlerë shkallaret dhe gurët, të cilat arkitekti Marco Casamonti arriti t’i rikthente siç ishin në projektin e ri, sot te stadiumi ‘Selman Stërmasi’ nuk kemi asgjë të kësaj natyre. Por, për të gjithë tifozët e Tiranës dua të sqaroj se ky stadium është pronë e bashkisë, por administrohet nga klubi, i cili ka arritur në përfundimin se fiton më shumë para duke ia dhënë stadiumin për cirk dhe festa birre një kompanie, se sa nëse do ta përdorte edhe për stadium. Klubi i Tiranës sot është më kail të luajë në Lushnje, se sa në Tiranë, pikërisht se ka ai më shumë leverdi për ta trajtuar si një kamping për festat e birrës dhe të qoftes. Nuk jam kundër këtyre, thjesht nuk më duket mënyra më efiçente për të përdorur një stadium”, deklaroi kryebashkiaku.

SHKARKO APP