Vendimi “bombë” i Strasburgut, VOA: Të dhënat u përdorën nga PS
VOA
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi t’i kërkojë qeverisë së Shqipërisë të ndalohen hapat për sekuestrimin e pajisjeve të punës së medias Lapsi.al.
Gjykata Europiane e mori këtë vendim pasi mësoi mbi vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës shqiptare Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të sekuestruar pajisjet e punës dhe kompjuterat me të dhënat elektronike të gazetarëve.
“Autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë të Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nr. 131 të 18 prillit 2021 dhe të ndalojnë sekuestrimin e çdo pajisjeje për ruajtjen e të dhënave dhe të dhënave kompjuterike / elektronike që u përkasin gazetarëve” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Oficerë të policisë gjyqësore shkuan të hënën në zyrat e gazetarëve të redaksisë Lapsi.al dhe kërkuan të sekuestronin gjithë pajisjet e punës dhe databazën e të dhënave personale, që sipas redaktorëve, janë siguruar prej Partisë Socialiste në mënyrë të paligjshme dhe po përdoren për fushatë zgjedhore.
Gazetarët nuk dorëzuan materialet, duke thënë se po mbrojnë burimin e tyre të informacionit, ndërsa PS ka hedhur poshtë njoftimet se ajo po përdor këtë databazë.
Gjyqtarja Iliriana Olldashi kish firmosur të dielën një vendim, që të sekuestrohet çdo pajisje dhe material që është në përdorim nga lapsi.al.
Me këtë vendim në dorë, policia gjyqësore shkoi në zyrat e redaksisë Lapsi.al, për të marrë pajisjet e punës dhe databazën e të dhënave personale të gjithë votuesve të kryeqytetit.
Sipas gazetarëve të Lapsi.al databaza mund të jetë siguruar nga Partia Socialiste dhe po përdoret për fushatë zgjedhore. Ata nuk i dorëzuan materialet dhe as burimin e tyre të informacionit.
Gazetari Armand Shkullaku, thotë se ky është një vendim ekstrem, i paparë as në periudhat më të vështira të shtypit në Shqipëri.
“Ne nuk mund të punojmë në redaksinë tonë. Ne u refuzuam oficerëve të policisë gjyqësore të hyjnë në zyrat tona. U thamë nëse duan të hyjnë në zyrat tona, të shkojnë e t’i shpërthejnë. Ne vet nuk dorëzojmë materiale, sepse e quajmë këtë një dhunim të lrisë së shprehjes. Vendimi i gjyqtares na duket i tepruar, sepse duket më tepër i motivuar nga urdhër nga lart se sa nga një hetim i vërtetë nga poshtë. Besojmë që në këtë rast prokuroria nuk po përdoret për qëllimin për të cilin është krijuar, po ashtu edhe Gjykata Speciale” – tha zoti Shkullaku.
Drejtues socialistë kanë mohuar njoftimet se të dhënat personale, që po qarkullojnë të jenë pjesë e informacioneve të tyre. Por në kollonën “Komente” të bazës së të dhënave, të cilat “Zëri i Amerikës” i ka parë, ka përshkrime të ndryshme që lënë të kuptohet haptazi se janë bërë nga persona të angazhuar për Partinë Socialiste. Në një rast, për shembull, për një qytetar, që duket të jetë kryefamiljar, theksohet se “Duan legalizim dhe votojnë për ne” dhe shumë shënime të tjera të ngjashme.
Gazetari i njohur Armand Shkullaku, me një përvojë të gjatë në publicistikë, thotë se skandali qëndron te fakti se në vendimin e gjyqtares kërkohet ndër të tjera të tregohet edhe burimi i informacionit, por kjo nuk është e domosdoshme për zbardhjen e cështjes, sepse tani materialin e ka gjithë Shqipëria. Hetimi duhet të zbulojë kush po abuzon me të dhënat private të kryeqytetasve, dhe jo se nga e siguruan lajmin gazetarët, tha ai.
“Nuk kemi parë ende të pyeten nja 200 patronazhistë që u kanë dalë emrat, të cilët mund të thonë fare mirë nga i kanë marrë këto të dhëna dhe pse po i përdorin. Dyshimet janë që po keqpërdoren të dhënat nga serverat e PS-së. Ne do t’i qëndrojmë deri në fund të vërtetës tonë dhe nuk kemi ndërmend që të nënshtrohemi nga asnjë lloj presioni” – tha zoti Shkullaku.