Vendimi i BE, Rama: Dera u hap. Opozita: Janë 15 kushte
Europa, e cila është bërë epiqendër e Covid-19, këtë të martë hapi derën për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me një PO unanime për çeljen e negociatave të anëtarësimit për këto dy vende të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Edi Rama e quan një hapje të derës, kurse opozita thotë se kjo derë u hap por me 15 kushte për Shqipërinë. Përmes një video live në facebook, kreu i qeverisë tha se PO-ja e BE nuk do të përcillej me festime, pasi sipas tij në këtë moment festa më e madhe do të ishte fitorja ndaj armikut të padukshëm që ka sulmuar gjithë botën, Covid-19.
”Dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së BE u hap në një kohë të mallkuar kur dyert e shtëpive tona janë të mbyllura. Shqipëria hyri në një fazë të re në mes të një lufte botërore që nuk dihet kur do të mbarojë. Ky i sotmi është një lajm i bukur, edhe pse i vonuar jo për shkakun tonë, që sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë, duke punuar duke i bërë detyrat e shtëpisë njësoj si ta kishim marrë po qëkurse e merituam. Po njësoj do vazhdojmë dhe po njësoj do t’i bëjmë të gjitha detyrat. Jo se na kërkojnë ata që sot na thanë më në fund PO, por se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi që iu kemi fëmijëve tanë. Ne nuk do ndalemi në plotësimin e çdo detyre deri sa të ulemi në shtëpinë e BE, ku më në fund fëmijët tanë do të luajnë në të njëjtin kopësht me fëmijët e BE”.
Opozita e cilëson si një lajm të gëzueshëm në këtë kohë të pandemisë por nga ana tjetër, thekson se situata nuk është aq e qartë sesa lexohet. Sipas ish-ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, vendet anëtare kanë ndjekur një strategji ndryshe për t’i bërë vendet tona më të përgjegjshme për detyrimet dhe plotësimin e plot 15 kushteve, para konferencës së parë ndërqeveritare, e cila ende mbetet pezull dhe pa afat kohor.
Presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen e cila e ka cilësuar një lajm të shkëlqyer vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. ”Lajm i shkëlqyeshëm për Ballkanin Perëndimor dhe BE. Unë jam e kënaqur që shtetet anëtare dhanë dritën jeshile për të filluar bisedimet e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedonia e Veriut. Shpresoj që udhëheqësit e BE të miratojnë këtë javë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Urime Edi Rama dhe Oliver Spasovski”.
Ministri gjerman i Europës, Michael Roth, (SPD) tha në Berlin sesa i rëndësishëm është ky vendim. ”Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i largët, por është oborri i brendshëm i Bashkimit Europian. Është në interesin tone të përbashkët që ky rajon të gjejë qetësi, paqe, qëndrueshmëri dhe shtet juridik të përhershëm. Dhe unë jam shumë i lumtur që ne sot kemi mundësi të vëmë një sinjal të qartë që BE-ja i mban premtimet e saj dhe që perspektiva e anëtarësimit në Ballkan vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Sipas materialit të BE, Shqipëria duhet të përmbushë:
-Ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në bazë të Kushtetutës.
-Reforma Zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSCE/ODHIR duke siguruar një financim transparent të partive politike dhe fushatës elektorale.
-Plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare përfshirë edhe aplikimin e mendimit të Komisionit të Venecias.
-Shqipëria duhet të përforcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë edhe kooperimin me vendet anëtare të BE-së dhe përmes një plan veprimi të adresojë rekomandimet e task Forcës Financiare (FATF)”, thekson materiali i miratuar ditën e sotme.
Këshilli do të vërejë përmes grupeve të punës nëse Shqipëria ka ndërmarrë me sukses prioritetet si:
– Nisja e procedurave kriminale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të akuzuar për vepra penale.
– Nisjen e hetimeve ndaj atyre që kanë kryer blerjen e votave.
– Duhet të kenë një vijimësi dhe vazhdimësi në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe procedimin dhe përfundimin e procedurave ndaj politikanëve të lartë dhe zyrtarëve të korruptuar.
–Proces të prekshëm në reformën administrative.
–Implementimit të reformës elektorale dhe gjithashtu një vendim përfundimtar dhe ligjor në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit.
– Qeveria shqiptare duhet të angazhohet për të përmbushur kushtet e përcaktuara në vitin 2017 sa i takon minoriteteve etnike.
– Adaptmin e një ligji për censusin e regjistrimit të popullsisë të kërkuar nga Athina në përputhje me rekomandimet e KE-së
– Avancimin e procesit të regjistrimit të pronave për minoritarët.
https://arkiva.kohajone.com/po-ja-per-negociatat-ish-ministrja-tregon-cfare-ndodh-jane-15-kushte/
https://arkiva.kohajone.com/celja-e-negociatave-emocionon-cakajn-i-cili-nuk-i-permban-dot-emocionet-te-dua-pertej-fjaleve/
https://arkiva.kohajone.com/yuri-kim-reagon-per-hapjen-e-negociatave-ju-mbeshtesim-fuqimisht-ja-cfare-pasqyron-vendimi/
https://arkiva.kohajone.com/rama-falenderon-be-dhe-jep-pagat-e-plota-per-biznesin-e-vogel/
https://arkiva.kohajone.com/soreca-shqiperia-me-status-te-ri-perballe-be-se-plotesoni-me-shpejtesi-kushtet/
https://arkiva.kohajone.com/vendimi-per-negociatat-tabaku-shqiptaret-moren-nje-po-dhe-qeveria-mori-4-parakushte-dhe-11-kushte-shtese/