Bylykbashi: E drejta e kthimit të pronës dominoi mbi shpronësimin komunist të Ramës
Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pranoi kërkesën e ish-pronarëve për të refuzuar zbatimin e ligjit të qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët, draft ky që u mohon atyre kthimin fizik të pronave në vendet ku ato janë të lira.
Për Bylykbashin, një vendim i tillë nënkupton se e drejta e kthimit të pronës dominoi mbi shpronësimin komunist.
“Me ligjin e pronave Kryeministri deshi t’ju rishpronësonte. Kur prona juaj ishte e lirë, Kryeministri ju kthente vetëm një pjesë të vogël dhe pjesën tjetër jua rishpronësonte, e kalonte në fondin shtetëror dhe me ankand e blinin miqtë e tij”- shkruan deputeti demokrat Oerd Bylykbashi që është një nga mbrojtësit e kauzës së ish-pronarëve në Gjykatën Kushtetuese.
Komenti i plotë i Bylykbashit
Miq ish-pronarë një lajm shumë i mirë për ju!
Gjykata Kushtetuese rrëzoi rishpronësimin! E drejta e kthimit të pronës dominoi mbi shpronësimin komunist!
Me ligjin e pronave Kryeministri deshi t’ju rishpronësonte. Kur prona juaj ishte e lirë, Kryeministri ju kthente vetëm një pjesë të vogël dhe pjesën tjetër jua rishpronësonte, e kalonte në fondin shtetëror dhe me ankand e blinin miqtë e tij.
Gjykata Kushtetuese e quajti këtë antikushtetuese dhe shfuqizoi nenet përkatëse. Tashmë, kur prona është e lirë, ju do ta merrni sipërfaqen të plotë dhe fizikisht, me vlerën e sotme të tregut dhe jo sipas vlerës së kohës kur jua grabitën!
Ky është një hap i madh që parashtesa poshtëruese “ish” të zhduket dhe ju ta gëzoni pronën të lirë dhe jo nipërit e atyre që jua shpronësuan!
PD ka bërë shumë ndër vite për pronarët. Duhej të bënte edhe më shumë! Ka patur edhe korrupsion në 25 vite në kurriz të të drejtës suaj, por PD kurrë nuk jua rishpronësoi pronat siç bënë këta që kanë mbirë direkt nga rrënja e komunizmit. Kjo është fitore e kauzës suaj që PD e mbrojti në Gjykatë. PD do të shfuqizojë edhe ato nene që Gjykata nuk i shfuqizoi, por ende cënojnë të drejtën tuaj!
KOHA JONË SONDAZH

