Vendimi që hyri në fuqi dje, ja çfarë i ndalohet Ramës, ministrave, drejtorëve dhe kryebashkiakëve
Sipas një vendimi të miratuar dje nga KQZ, Kryeministrit, ministrave, kryebashkiakëve dhe drejtorëve të administratës u ndalohen deri ditën e zgjedhjeve, dhënia e koncesioneve, inaugurimet e punëve publike dhe promovimi i investimeve. Konkretisht dhënia e çelësave për banesat e ndërtuara pas dëmeve nga tërmeti, dhënia e tapive të legalizimeve, apo qokat që lidhen me projekte që kanë ndërtuar me lekët e taksave të shqiptarëve.
Akademia e Studimeve Politike, një organizatë që do të monitorojë zbatimin e këtij vendimi, ka dhënë sot detaje se cilat janë aktivitetet që ndalohen.
Nga data e djeshme ndalohet që qeveria dhe institucionet të marrin vendime për:
rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale;
uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale;
privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve;
marrëveshje koncensionare, partneritet Publik-Privat;
apo cdo akt tjetër që mund të përkthehet në përfitime elektorale.
Vendimi i KQZ vlen për zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe përfshinë aktet e:
Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, ministrit dhe zëvendësministrit;
Kryetarit të bashkisë dhe zëvendësit;
drejtorit të përgjithshëm dhe zëvendësit të agjencive apo institucioneve në varësi të Kryeministrit ose ministrit;
drejtorit të përgjithshëm dhe zëvendësit e tij për shoqëritë tregtare në të cilat shteti ka më shumë e 50% të aksioneve;
titullarit dhe zëvendësit e tij për ndërmarrjet shtetërore;
duke përfshirë edhe anëtarët e kabineteve të tyre.
NJOFTIM PER SHTYP I ASP/Hyjnë në fuqi kufizimet e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje
26.12.2020 – Që nga dita e djeshme (25 dhjetor) kanë nisur efektin e tyre dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor, të cilat parashikojnë ndalimin e veprimtarive publike të institucioneve shtetërore të lidhura me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nën monitorim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë gjithashtu gjatë katër muajve në vijim edhe përdorimi i burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të institucioneve qendrore dhe vendore, të cilat në të shkuarën kanë qenë objekt i keqpërdorimit të pushtetit dhe vënies së tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë në shërbim të zgjedhjeve.
Akademia e Studimeve Politike, ka nisur tashmë bashkëpunimin me KQZ për të bërë të njohura kufizimet ligjore për aktorët publikë që janë subjekt i këtyre kufizimeve, si dhe publikun e gjerë, me qëllim ndërgjegjësimin dhe sinjalizimin e shkeljeve të mundshme. Ky angazhim bëhet i mundur në kuadër të projektit “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), mbështetur financiarisht nga ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tiranë dhe programi i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian “Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.
Kufizimet ligjore kanë në fokus aktivitetet publike të:
Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, ministrit dhe zëvendësministrit;
Kryetarit të bashkisë dhe zëvendësit;
drejtorit të përgjithshëm dhe zëvendësit të agjencive apo institucioneve në varësi të Kryeministrit ose ministrit;
drejtorit të përgjithshëm dhe zëvendësit e tij për shoqëritë tregtare në të cilat shteti ka më shumë e 50% të aksioneve;
titullarit dhe zëvendësit e tij për ndërmarrjet shtetërore;
duke përfshirë edhe anëtarët e kabineteve të tyre.
Disa nga “veprimtaritë e ndaluara publike”, të përcaktuar në Kodin Zgjedhor dhe rregulloren e miratuar në vendimin e datës 23.12.2020 të Komisioni Rregullator, janë si më poshtë vijon:
promovimi i projekteve dhe/ose të investimeve, me interes apo shtrirje territoriale kombëtare ose vendore në fushën e transporteve të çdo lloji, të energjetikës, të telekomunikacionit, të veprave ujore të çdo lloji, në shërbim dhe interes të publikut;
promovimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore (dorëzimi publik i shtëpive të rindërtuara nga tërmeti);
shpërndarja në veprimtari publike e lejeve të legalizimeve, akteve për regjistrimin e tokës bujqësore apo çdo lloj pronësie tjetër;
Të gjitha aktivitetet e mësipërme publike duhet të raportohen dhe miratohen paraprakisht në ndërfaqen e raportimeve të ndërtuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – i cili është autoriteti i ngarkuar për monitorimin e zbatimit të këtyre këtyre dispozitave të reja – më konkretisht në adresën: https://aktivitete.kqz.gov.al/
Përsa i përket burimeve financiare dhe njerëzore publike, ndalohen që prej ditës së djeshme e deri në krijimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 202, propozimi dhe miratimi i legjislacionit dhe aktet nënligjore si dhe VKM që parashikojnë:
rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale;
uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale;
privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve;
marrëveshje koncensionare, partneritet Publik-Privat;
apo cdo akt tjetër që mund të përkthehet në përfitime elektorale.
Gjithashtu, administratës shtetërore (nëpunësit e shërbimit civil si dhe të gjithë punonjësit e institucioneve shtetërore) i ndalohet që të angazhohet brenda orarit të punës në veprimtari dhe/ose aktivitete për qëllime zgjedhore të zhvilluara fizikisht, por si një risi e fundit, edhe në përfshirje virtuale në platformat sociale dhe mjetet e komunikimit elektronik.
KOHA JONË SONDAZH

