Venecia: Ekspertët e huaj, rol kyç tek Vettingu
Roli i Komisionit të Venecias ka qenë kyç për reformën në drejtësi në Shqipëri, por megjithatë disa prej çështjeve të miratuara përfundimisht nga Parlamenti i Shqipërisë janë arritur falë konsensusit politik.
Kreu i Venecias, Gianni Buquicchio, deklaroi mbrëmë se disa nga zgjidhjet janë shumë ndryshe nga ato që ishin diskutuar më herët.
“Ne e kemi ndjekur nga afër procesin, si po formësohet, dhe kam kuptuar edhe kritikat e opozitës për projektet e mëparshme të Reformës. Shumë prej këtyre shqetësimeve janë dëgjuar dhe janë marrë parasysh në tekstin përfundimtar. Me ç’kam kuptuar, ky tekst përfundimtar, i cili u miratua më 21 korrik ishte rezultat i shumë kompromiseve politike. Disa nga zgjidhjet janë shumë ndryshe nga ato që ishin diskutuar më herët këtë vit”, tha ai.
Çështja kryesore ku palët kanë negociuar më së shumti është ajo e Vettingut, ose institucioni që do të “filtrojë” gjyqtarët dhe prokurorët. Buquicchio pohon se ekspertët e huaj do të kenë rol kyç, teksa shton se ata nuk mund të marrin vendime pasi Shqipëria është një shtet sovran.
“E gjithë arkitektura e reformës për sa i përket procesit të vettingut mbështetet tek përfshirja e aktorëve ndërkombëtarë. Është e vërtetë që të huajt nuk mund të marrin përgjegjësi për atë që ndodh në vend. Shqipëria është një vend sovran. Ne e kemi ndjekur nga afër procesin sesi po formësohej procesi dhe kam kuptuar edhe kritikat e opozitës për projektet e mëparshme të reformës. Shumë prej këtyre shqetësimeve janë marrë parasysh në tekstin përfundimtar”, sqaron Buquicchio.
Sipas tij, “opozita nuk duhet që të mos pranojë propozimet që vijnë nga mazhoranca thjesht se ato vijnë nga mazhoranca, po ashtu edhe mazhoranca nuk duhet ta shohë kritikën nga opozita si një lloj kritike që minon punën e bërë. Të dyja palët kane shumë punë për të bërë. Kështu që unë mendoj që legjislacioni zbatues do të hartohet dhe miratohet pa vonesa të mëtejshme”.
Ai thotë edhe se “mekanizmi i përzgjedhjes është shumë i ndërlikuar dhe mund të përshkruhet si një miks i sistemeve proporcionale dhe mazhoritare. Do të shohim se si do të funksionojë në praktikë. Unë shpresoj shumë që të nisë nga puna shpejt dhe mirë”.
Presidenti i Komisionit të Venecias, i cili ka asistuar edhe për hartimin e Kushtetutës së vitit 1998, ka dhe një mesazh për politikanët shqiptarë.
“U bëj thirrje palëve për racionalitet dhe vullnet të mirë. Unë mendoj se opozita nuk duhet të mos i pranojë propozimet e bëra nga shumica, vetëm se vijnë nga shumica. Po ashtu dhe kjo e fundit nuk duhet të shoh kritikën që vjen nga opozita si një kritikë që minon punën e bërë”, konkludon Buquicchio.
KOHA JONË SONDAZH

