Analizë/Komisioni i Venecias zbuloi se kush po bën pazare me reformën në drejtësi            

Komisioni i Venecias i ka dhënë fund dilemës se kush ka të drejtë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Opinioni përfundimtar që pritet të zyrtarizohet në muajin qershor e thotë qartë se: Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje me emërimin e Marsida Xhaferrllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Jo vetëm kaq, por ekspertët e Venecias arrijnë në përfundimin kushtetues se vendimet e Parlamentit dhe Këshillit të Emërimeve të drejtuar nga Ardian Dvorani, janë në shkelje të hapur Kushtetuese dhe ligjore. Në këtë mënyrë, qeveria, Parlamenti dhe levat e saj në institucionet e reja të drejtësisë janë kapur sërish në krim kushtetues duke tentuar të uzurpojnë Gjykatën Kushtetuese.

Kjo është hera e dytë që Komisioni i Venecias godet hapur dhe me argumente ligjore qeverinë e Edi Ramës. Hera e parë ishte kërkesa e PS-së për shkarkimin e kreut të shtetit lidhur me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019. Ekspertët e Venecias edhe në këtë rast nxorën PS-në dhe qeverinë si një strukturë shtetërore që vepron me modele mafioze për të minuar institucionet e shtetit dhe i dhanë të drejtë Presidentit Meta.

Në të dyja rastet, PS është nisur drejt Venecias me idenë se do të marrë mbështetje ligjore për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Janë nisur për të dëmtuar kreun e shtetit, por në mënyrë të qartë janë fundosur vetë si Rilindje. Qëndrimet e Venecias jo vetëm i kanë dhënë të drejtë Presidentit në aktet  e tij dhe kanë quajtur kushtetues çdo veprim të ri, por kanë dërrmuar juridikisht mazhorancën dhe gjithë argumentet bajate të Partisë Socialiste.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Venecias ka mbetur i vetmi institucion që vlerëson përplasjet e forta politike dhe juridike në Shqipëri. Si rregull, vendimet e Venecias janë opinione që u jepen palëve, por për sa kohë ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, atëhere këto qëndrime janë njëlloj si të ketë folur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Dhe Venecia ka folur hapur duke treguar se paligjshmëria, sjellja anti kushtetuese dhe arroganca institucionale e qeverisë “Rama” ka kaluar çdo limit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këto qëndrime të Venecias kanë dhe një vlerë tjetër në debatin e nxehtë në Tiranë për reformën në drejtësi. Kreu i shtetit është akuzuar nga PS dhe Edi Rama për bllokimin e reformës në drejtësi. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim disa ditë më parë foli për pazare me reformën dhe sabotim të saj, pa përmendur emra. Në këtë rrëmujë deklaratash, Komisioni i Venecias, me opinionin për Gjykatën Kushtetuese ka vendosur pikat mbi “I” dhe ka dhënë emrin dhe adresat e atyre që realisht po bëjnë pazare, po sabotojnë dhe shkatërrojnë reformën në drejtësi. Venecia e thotë qartë se Parlamenti, KED, Ardian Dvorani kanë shkelur ligjin dhe aktet e tyre kanë ndikuar në ecurinë e reformës në drejtësi, pjesë e së cilës është dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Pas KED, Kuvendit, Qeverisë dihet se qëndron Edi Rama dhe Venecia në raportin e saj po u tregon të gjithëve se kush janë pazarxhinjtë dhe sabotatorët e reformës.

Çdo deklaratë tjetër, politike, diplomatike mbi sabotimin e reformës në drejtësi nuk ka më vlerë. Qëndrimi i Komisionit të Venecias tregon skemën, emrat e zyrtarëve dhe të gjithë ata që po çojnë drejt dështimit reformën në drejtësi. Që të gjithë janë në kampin e Edi Ramës dhe janë njerëzit që nuk veprojnë pa lejen e tij.

Venecia  i dha përgjigje direkte edhe ndonjë ndërkombëtari që hesht apo këndon me zërin e Rilindjes për Reformën në Drejtësi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?