Vetëizolimi prioritar në uljen e rrezikut të pandemisë
Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, në intervistë për DW paraqet situatën më të fundit në Shqipëri lidhur me prekjen nga virusi Corona.
Shqipëria u prek në 9 mars nga virusi Corona, i koduar COVID-9. Organizata Botërore e Shëndetësisë, (OBSH) e ka përfshirë Shqipërinë në 115 vendet e botës, për të cilat ka shpallur pandeminë globale. Dr. Fico, ju lutem, si është situata aktuale?
Në momentin që po flasim janë testuar 457 raste dyshuara dhe presim përgjigje nga analiza, kemi 33 raste të infektuar me COVID-19 të shtruara në spital, 18 raste në vetëizolim, që janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe 1 rast vdekje, ai i një gruaje 73 vjeҫ, që vuante nga sëmundje të tjera. Tirana është më e prekura me 19 raste të konfirmuara, e ndjekur nga Durrësi me 5 raste, Fieri 4, Elbasani dhe Rrogozhina 2, Kavaja 1 rast.
A mund të ishte parandaluar hyrja e virusit? Ju pyes nisur nga historiku i virusit: ai u shfaq së pari në Wuhan, Kinë, në dhjetorin e kaluar dhe në Shqipëri hyri pas 3 muajsh, në 9 mars.
Parandalimi i hyrjes së virusit është i pamundur. Në pandeminë më të madhe, më të rrezikshme, atë të vitit 1918, që njihet si pandemia e gripit spanjoll, kur në botë nuk kishte mundësi të mëdha komunikimi mes vendeve, virusi u perhap me shpejtesi dhe morri miliona jetë njerëzish. Rëndësi ka të kuptohet që parandalimi i përhapjes është një aksion i kombinuar i shumë faktorëve: informacionit për COVID-19, organizimit të trupës mjekësore, mobilizimit të logjistikes spitalore dhe përdorimit të protokolleve për adresimin e aspekteve dhe skenareve të ndryshëm sipas përshkallëzimit të infeksionit, informimit non stop të popullates. Por duhet t’ju them, që shpesh është e pamundur të identifikosh momentin e hyrjes së virusit, pasi jo gjithmonë mund të identifikohet pacienti 0. Siҫ e përmendët në pyetjen tuaj në 9 mars, u identifikua pacienti 0, rasti i parë në Shqipëri i infektuar me virusin Corona.
Sa të përgatitur e gjeti Shqipërinë identifikimi i rastit të parë, të infektuar me COVID-19?
Tre muaj më parë, kur epidemia nisi në Wuhan, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ngriti 2 instrumentë të rëndësishëm: Komitetin Teknik të Ekspertëve dhe Task Forcën, me përfaqesues nga Instituti i Shëndetit Publik,( ISHP) Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shendetësor, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit dhe institucione të tjera. ISHP përpiloi protokollet e trajtimit si pjesë e planit të emergjencës kombëtare, që janë bazuar në ato të OBSH dhe Qëndrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, (European Centre for Disease Prevention and Control, ECDC). Protokollet përfshijne gjithë aspektet e menaxhimit të situatës që nga marrja dhe transporti i mostrave, gjurmimet epidemiologjike, përkufizimi i rastit, masat për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së COVID-19, algoritmet e skenarëve të mundshëm të përshkallezimit të infeksionit, menaxhimi i të sëmurëve deri tek protokollet e gadishmërisë dhe trajnimet. Ato janë shpërndarë në të gjitha nivelet dhe kategoritë e shërbimit shëndetësor me urdhër të Ministrit të Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale.
Shqipëria që prej tre ditësh është mbyllur. Në rrugët e saj ka dalë ushtria dhe policia për të zbatuar masat e qeverisë Rama: vetë izolimin, mbylljen e shkollave, bareve, restoranteve, qendrave sportive-kulturore, ndalimin e transportit publik. Sa efikase pritet të jenë këto masa, si mjeke e specializuar për sëmundjet e mushkërive, me tituj shkencorë dhe përvoja të gjata profesionale në New York?
Kur OBSH shpalli në 10 mars pandeminë, mesazhi i saj përmbante edhe pavarësinë e sejcilit vend të prekur për të përcaktuar masat kundër infeksionit me COVID-19. Shqipëria ka afërsi gjeografike me Italinë, që ndodhet në një situatë të rëndë nga përhapja e virusit dhe sëmundja që ai shkakton. Mbyllja, bllokimi i lëvizjen në të dyja anët e Adriatikut për të parandaluar përhapjen e infeksionit nuk ka sesi të mosrezultojë efikas. Shqipëria është treguar e shpejtë dhe pa asnjë vonesë në marrjen e masave. Por efikasiteti i tyre varet nga sa i zbatojnë qytetarët, që janë faktori kryesor në rezultatet e masave, që ju përmendët. Shqipëria po kalon një kohë të vështirë që do të jetë test për të dyja palet: Qeverinë dhe qytetarët.
Znj. Fico masat janë njëra anë, kapacitetet të përgatitura për ta përballuar situatën, janë ana tjetër, mjaft e rëndësishme. A ka sistemi shëndetësor i Shqipërisë kapacitete: mjekë, infermierë, shtretër në reanimacion, dhoma izolimi, aparate oksigjeni etj, etj ?
Kapacitetet njerëzore, mjekë, infermierë, profesionistë të tjerë të shëndetësisë janë treinuar në mënyrë rigoroze nga ISHP, sipas një plani të miratuar nga MSHMS. Në Shqipëri ka përvoja në përballimin e epidemive. Në 20 vitet e fundit janë përballuar epidemi të rënda si SARS, MERS, pandemia e gripit në 2009. ISHP dhe punonjësit e shëndetit publik kanë përvoja shumë të mira në përgatitjen për të zbatuar Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit. Zyra Rajonale e OBSH zgjodhi Shqipërinë, vitin e kaluar, si vend organizator për aktivitetet ndërkombetare me fokus rritjen e gadishmërisë në portat hyrëse, Aeroportin “Nënë Tereza”dhe Portin e Durresit. ISHP u vlerësua nga OBSH me nota maksimale.
Numri i shtretërve, dhomat e izolimit për pacientët e infektuar, shtretërit në reanimacione, oksigjeno – terapia, respiratorët, medikamentet janë një siguri për ta përballuar situatën sipas skenarëve të rritjes së përhapjes së infeksionit dhe sëmundshmërisë. Qeveria shqiptare ka alokuar fonde shtesë për blerjen e mjeteve të mbrojtejes personale për personelin mjekësor si edhe të respiratorëve shtesë. Është përcaktuar vendi dhe përgatitur karantina për të pritur rastet e personave te dyshuar. Rekomandimi i OBSH dhe praktika e vendeve qe janë prekur përpara Shqipërisë është që vetë izolimi, vetë karantini është prioritar për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit dhe zvogëluar rrezikun e përhapjes së tij.
Si janë kapacitetet laboratorike?
Diagnostikimi i infektimit me COVID-19 bëhet vetëm në laboratorin e ISHP me metodën e përcaktuar nga protokolli i OBSH. Laboratorit i ISHP është pjesë e rrjetit ndërkombëtar të laboratorëve të ҫertifikuara për të punuar me protokolle ekskluzive. Ai është i sigurisë së lartë dhe ҫertifikohet ҫdo vit për analiza të sëmundjeve emergjente virale, ku futet edhe infektimi nga COVID-19. Por Shqipëria ka edhe një sërë laboratorësh të mirëpajisura në Qëndrën Spitalore Universitare, Spitalin Universitar për Sëmundjet e Mushkërive, Sanatorimin, si edhe laboratorë të sistemit privat të cilat mund të shërbejnë në rast nevojash në rritje.
Si e parashikoni ju kurben e rasteve te infektuara dhe te dyshuara ne ditet e ardhshme?
Eh, po kërkoni përgjigjen e pyetjes 1.000.000 $, me sa kuptoj!! Ok, atëhere po ju them që një epidemi nga një infeksion respirator ka një parameter të rëndësishem për të llogaritur kurbën epidemike: kohën e dyfishimit të numrit të rasteve të reja që lidhet me kohën mesatare për kalimin e virusit nga një person i infektuar tek një person tjetër. Të dhënat nga epidemia në Kinë tregojnë se koha e dyfishimit të COVID-19 në fazat fillestare ishte 4-5 ditë. Të dhënat më të fundit nga epidemia e COVID -19 në Itali tregojnë që me përparimin e epidemisë vërehet një përshpejtim i kohës së dyfishimit në rreth 2.5 ditë, pra dyfishim i rasteve të reja në ҫdo 2 ditë e gjysmë. Një model i ngjashëm i rritjes së kurbës epidemike vërehet edhe në Francë, Gjermani apo Britaninë e Madhe. Në këtë fazë kurba epidemike në Shqipëri përkon me një model matematik eksponencial: ajo do të vijojë deri në arritjen e pikut të epidemisë, pas të cilit do të fillojë ulja graduale e numrit të rasteve të reja të identifikuara ҫdo ditë. Atëhere faktori riprodhues në faza të mëvonëshme të epidemisë zvogëlohet derisa arrin në 1 rast të ri në ditë dhe më pak se 1. Në këtë moment epidemia e ka kaluar pikun e saj. Ne po mbledhim informacion të detajuar mbi sjelljen e infeksionit në popullatë për analiza të mëtejshme epidemiologjike në ndihmë të luftës kundër COVID-19.
Si po ecin përpjekjet globale për të prodhuar vaksinën kundër COVID-2019?
Komuniteti shkencor ndërkombëtar në fushën e mjekësisë, virologjisë dhe biologjisë molekulare dhe më gjerë janë angazhuar në disa drejtime kryesore: studimin e hollësishëm të shkaktarit të COVID-19 për detajimin e profilit gjenetik, rrugen e transmetimit tek nga burimi zoonotik tek njeriu, nga njeriu tek njeriu deri në zbulimin e vaksinës specifike. Grupe ekspertësh ndërkombetare në Kinë, SHBA, Korenë e Jugut, Britaninë e Madhe etj po sjellin eksperiencat e tyre në rezultatet laboratorike lidhur me vaksinën. Në një konferencë shtypi, organizuar nga Presidenti i SHBA në mbështetje të shkencëtarëve amerikanë, kryetari i tyre foli për ecuri të shpejtë dhe financime që lejojnë të vijohet puna për një vaksinë specifike për COVID-19. Pavarësisht nga adrenalina e shkencëtareve, gjithë sa u tha në këtë konferencë la të kuptohet që prodhim i vaksinës kundër COVID-19 do të dojë më shumë se 2 vjet. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 për mendimin tim ka disa karakteristika lidhur ngushtë me kohën në të cilën ndodhi.
/DW/