Vetëvrasjet e pacientëve me Covid, Vasili: Ideja se kështu ndodh në gjithë botën nuk e shëron problemin
Ditën e sotme një tjetër pacient i infektuar me Covid-19, ndërmori aktin fatal të vetëvrasjes në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi”. Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh Nënkryetari i LSI Petrit Vasili thekson se pacientët me koronavirus kanë nevojë për më shumë përkujdesje psikologjike.
“Covid ka treguar dhe një targetim të çrregullimit të karakterit psikologjik, që në në drejtim të sferës neurotike ka treguar që ka influenca jo të pakta. Në dritën e një Covidi që zbulon shenja të reja dita ditës sigurisht trupat mjekësore adaptojnë sjelljet e tyre mjekësore. Për rastin tragjik të përsëritur një nga gjërat themelore do ishte që gjithë stafi mjekësor në mënyrë të veçantë drejtuesit e tyre të orientojnë në këtë drejtim komunikimin mjek-pacient. Komunikimi me pacientët bën të mundur të selektivizohen ata që janë pacientë me risk të lartë,ata që paraqesin shenja më të spikatura në këtë drejtim e për pasojë mbajtjen e tyre në kontroll të veçantë sidomos kur historia është e përsëritur“,- tha Vasili.
Nënkryetari i LSI u shpreh se çrregullime të tilla ekzistojnë dhe për ata pacientë që trajtohen në shtëpi duke bërë që ata të jenë më të rrezikuar ndërkohë që rastet fatale vijnë nga aty ku ka dhe kontroll mjekësor.
“Të tilla çrregullime nuk ekzistojnë vetëm në të sëmurët në spital por dhe ata që trajtohen në banesë dhe besoj që ata që ndodhen në banesë janë ndoshta pak më të rrezikuar sesa ata që janë nën një kujdes spitalor mjekësor por çuditërisht ka ndodhur e kundërta dhe kjo gjë të bën të mendohesh. Ideja që kështu ndodh në gjithë botën nuk është kurrë shërimi i problemit. Shërimi është që t’i rrimë te koka dhe të mos humbasim asnjë jetë njerëzish nga ato që mund të evitohen”,- deklaroi Nënkryetari i LSI.