“Vetingu faktik i Ramës “mbyll” Krimet e Rënda”
Nga Oerd Bylykbashi
Kur plasën përgjimet e Habilajve që implikonin Tahirin, e pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, në fillim Edi Rama sulmoi prokurorët e Krimeve të Rënda, si “veriorë”.
Më pas, Edi Rama urdhëroi deputetët e tij të kthenin Parlamentin në gjykatë e të refuzonin kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestim të Tahirajt.
Më pas, Edi Rama urdhëroi ekstradimin e Seitajt, dëshmitarit kyç kundër Tahirit, që ta linte Prokurorinë e Krimeve të Rënda me duar bosh.
Më pas, Edi Rama urdhëroi Fatmir Xhafën dhe Arta Markun që të krijonin task-forca në prokuroritë e rretheve për hetimin e krimit të organizuar, duke i marrë de facto kompetencën Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pra, i priste këmbët.
Më pas, Gjykata e Lartë, në grahmat e fundit para se të mbylle kanatat përpara presionit të Kryeministrit, si Gjykata Kushtetuese, me një vendim vendosi që krimet e rënda, në të cilat nuk ka grup të strukturuar kriminal, t’i kalojnë prokurorive dhe gjykatave të rretheve që kontrollon drejtpërdrejt Prokurorja Provizore. Me këtë akt, Krimet e Rënda kanë mbetur pa punë. Nje investim gjigand me miliona euro, që ka çuar pas hekurave qindra kriminelë, sot është hedhur në plehra.
Pasoja: 613 kg kokainë të Maminasit transferohen nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Durrësit. Fundja, ç’grup i strukturuar kriminal ishte ai?! Një shofer, një punonjës dhe administrator i kishin sjellë 613 kg kokainë.
Në fund, Krimet e Rënda do të zëvendësohen nga SPAK-u, me kismet kur ky i fundit të ngrihet. Deri atëherë kanë ngelur duarbosh. Si një luan pa dhëmbë.
Pas mbylljes së Gjykatës Kushtetuese, rrënimit të Gjykatës së Lartë, de facto u mbyll edhe Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Falë Edi Ramës reformator. Kush guxon e kundërshton, apo i hap probleme Kryeministrit, shpejt do të përballet me vetingun.