VV takohet në Tiranë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, është parë duke biseduar me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Sveçla, deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, është fotografuar gjatë një takimi me zyrtarin e qeverisë serbe, në mbrëmjen e së shtunës.
Fotografitë janë realizuar në Tiranë, në atë që njihet si “15-katëshi”, ku edhe po zhvillohet takimi aktualisht.
Gazeta Express ka siguruar dy fotografi, ku Sveçla shihet duke biseduar me Gjuriqin.
“Ky nuk është takim i Xhelal Sveçlës me Marko Gjuriqin, por është pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare, me të gjitha subjektet politike të rajonit, që po mbahet me temën “Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e organizatës CIG”, ka thënë zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje për Gazetën Express.

Përveç Sveçlës, në takim me zyrtarin serb, në kryeqytetin e Shqipërisë, Express ka mësuar se janë edhe deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Nuk dihet arsyeja e takimit të Sveçlës dhe të tjerëve në takim me Gjuriqin.
Gazeta Express ka provuar t’i pyesë Sveçlën, Abrashin dhe Gjinin rreth takimit me zyrtarin serb, por kontakti me ta ka qenë i pamundur. /Express/
KOHA JONË SONDAZH

