VIDEO/ Aplikacioni TEA, kryeministri Rama: Aktivitete buzë Jonit e Vjosës, në kala dhe fshatra turistike
Kjo javë nis me një sërë aktivitetesh plot atmosferë festive e sportive, nisur buzë Jonit e Vjosës, si në kala dhe fshatra turistike. Vetë kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të hënë në Facebook paketën e turizmit kulturor në Shqipëri për 14-17 gusht.
“Qytetet e Sarandës e Vlorës ju ftojnë t’i bashkoheni eventeve turistike e festave lokale në këto ditë plot diell, ku çelet edicioni i 11-të i Panairit të Suvenireve Turistike e kalaja e Kaninës do të mikpresë vizitorë të shumtë gjatë kësaj të marte, pa harruar performancat artistike për të gjithë vogëlushët në sheshin e lodrave në Lungomare”, theksoi Rama.
Rama i bën apel qytetarëve dhe turistëve të shkarkojnë aplikacionin “Eventet turistike të Shqipërisë”, TEA, ku mund të gjejnë një sërë aktivitetesh të turizmit kulturor në Shqipëri për këtë javë.
TEA është një risi teknologjike për turizmin shqiptar është kalendari digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës duke ju dhënë mundësinë që për të parën herë të krijoni paketa të turizmit kulturor dhe të udhëtoni nëpër kulturën, trashëgiminë, artet, sportet dhe kulinarinë e pasur të Shqipërisë.