VIDEO/ Balluku, Denaj e Kumbaro në Suç të Klosit: Mbështetje për bashkimin e fermerëve

Në fshatin Suç të bashkisë Klos një grup fermerësh janë bashkuar për ngritjen e një sipërfaqeje me vreshtari. Me mbështetjen edhe të Dioqezës Rrëshen, fermerët kanë kultivuar një sipërfaqe prej afro 4 hektarësh me vreshtari.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizituan investimin e realizuar ku biseduan edhe me fermerët të cilët kanë marrë këtë iniciativë.

“Këtu kemi një SHBB, ajo që ne mundohemi ta promovojmë dhe mundohemi të themi që nëse ju krijoni këtë SHBB do jetë shumë më lehtë që të keni akses në paketat e subvencioneve”, tha Balluku.

Bashkimi i fermerëve krijon mundësi edhe për automatizimin e proceseve, bëri të ditur ministrja Denaj, duke shtuar se në skemën e subvencioneve SHBB-të kanë mundësi të përfitojnë mbështetje të plotë financiare. “Duhet të mendojmë në masë dhe shkallë të madhe që fillojmë dhe të investojmë për automatizimin”, tha Denaj.

Zhvillimi i bujqësisë, por edhe peizazhi që ofron zona, shton mundësitë që kjo pikë të kthehet edhe në një destinacion për vizitorët. “Dikur bujku apo blegtori ishte prodhues. Ideja është që të prodhosh për ta ofruar edhe si ofertë turistike. Ky është sekreti, kjo është edhe e ardhmja”, u shpreh Kumbaro.

SHKARKO APP