VIDEO/ Balluku në poligonin e testimit praktik për lejet e drejtimit: Rrit standardet dhe transparencën
Poligoni i Testimit Praktik për lejet e drejtimit është investimi i radhës i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Një hapësirë e dedikuar tërësisht kandidatëve të cilët duan të pajisjen me leje drejtimi dhe që ofron kushte dhe standarde të larta, duke rritur njëkohësisht transparencën.
Zv/kryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa inspektoi nga afër investimin e realizuar, i përcolli fillimisht urimet drejtorit të ri të DPSHTRR, Ilir Mëngra, duke shprehur gjithashtu besimin për vijimin e punëve të mira të realizuara në këtë institucion, i cili ofron një numër të madh shërbimesh për qytetarët.
Duke folur për investimin e kryer drejtori Mëngra theksoi se kjo ndërhyrje i jep zgjidhje një problematike shumëvjeçare dhe tashmë ofron kushte të larta sigurie dhe transparence. “Përpara se të vinim tek kjo pistës që është Poligoni i Testimit Praktik për leje drejtimi dhe Qendra Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale ne kemi pasur vështirësi shumë të mëdha përsa i përket testimit praktik në fazën e parkimit. Për arsye se nuk kishte një pistë ne ishim të detyruar të drejtoheshim nëpër ambiente informale në Tiranë”, tha Mëngra duke shtuar se investimi i realizuar shtrihet në një pistë rreth 6 mijë metra katrorë, me fonde të përballura nga buxheti i DPSHTRR.
124 testime realizohen çdo ditë në këtë poligon, ndërkohë që janë mbi 130 mijë testime në harkun kohor të një viti. Ministrja Balluku tha se falë punës dhe investimeve të realizuara, DPSHTRR ka rritur ndjeshëm standardin dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, duke u kthyer edhe në një shembull për risitë e sjella të cilat kanë lehtësuar qytetarët.
‘‘DPSHTRR-ja padyshim ka krijuar një standard të ri, një standard të cilin unë e marr shpeshherë edhe për shembull për të gjithë ndërmarrjet e tjera sesi duhet të funksionojë inovacioni, sesi duhet vetë ndërmarrjet të arrijnë të sjellin të ardhura, të ardhura të cilat do të përkthehen më pas në investime, siç kemi bërë në rastin e DPSHTRR-së. Gjej rastin këtu që të falënderoj tashmë kolegun tim, ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, që ka qenë padyshim iniciatori dhe motivuesi kryesor i të gjithë ndryshimit që ka ardhur në DPSHTRR. Unë do të përmendja këtë radhë, pasi gjithmonë flasim për risitë që kanë ardhur, por diçka shumë e rëndësishme për qytetarët që janë drejtues automjetesh është vendimi që u mor gjatë vitit të kaluar për sa i përket patentës 15 vjeçare”,-tha Balluku.
Ministrja nënvizoi faktin e rëndësisë së vijimit të investimeve, duke pasur tashmë si prioritet edhe teknologjinë, aplikimin e saj për të çuar në një nivel akoma edhe më të lartë cilësinë e shërbimit. Poligoni i Testimit Praktik për leje drejtimi dhe Qendra Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale është e pozicionuar në zonën e Fushë Prezës në Tiranë. Rreth 111 autoshkolla, të regjistruara në DRSHTRR Tiranë, kandidatët e të cilave testohen pranë këtij poligoni.